Ngjarje

Fushata për gra leshatore – Gjithkush të ndihet mirë me trupin e vet

Nocioni që gratë mund të ndjehen të lira për të rritur qimet e trupit të tyre është konsideruar si tabu nga shoqëria për shumë kohë. Gratë shpesh ndjehen në siklet nëse nuk janë të rregullta nga kjo pjesë. Por sjelljet paragjykuese ndaj grave ka sjellë krijimin e fushatës Januhairy, një lëvizje që inkurajon gratë që të rrisin qimet e trupit dhe të mos ndjehen në siklet nga paragjykimet. Qëllimi kryesor i fushatës është të mbledhë para për projektin e programit këshillues Body Goosip.
“Rritja e qimeve të trupit tek femra është për fat të keq ende një problem,” shkruan organizatorja e Januhairy në faqen e Facebook të fushatës.
“Ne shfaqemi në media, të sigurta vetëm kur këmbët tona janë të lëmuara, vetullat në formë të përkryera dhe sqetullat e pastra. Shoqëria gjatë gjithë kohës na ka treguar se qimet që rriten në trupin tonë janë të pahijshme dhe prandaj ne duhet të kryejmë procese të dhimbshme për t’i hequr ato. Të gjithë flasin për barazi gjinore por kur bëhet fjalë për qimet e trupit, gratë dhe vajzat kalojnë procese të dhimbshme për të zhdukur ato. Pse të mos i rrisim edhe ne qimet e fytyrës apo të këmbëve? Nuk ka asnjë arsye pse të mos jetë normale”, shton ajo.

Harnaam Kaur e cila vendosi të rrisë mjekrën, pasi në adoleshencën e saj, është dhunuar shpesh psikologjikisht sepse kishte shumë qime në fytyrë.

Fushata Januhairy u krijua nga studentja Laura Jackson. 21-vjeçarja filloi të rriste qimet e trupit të saj në maj të vitit të kaluar, për një shfaqe që duhet të kryente në universitet. Pas disa javësh nga koha e zhvillimit të rolit të saj në shfaqe, ajo filloi të ndjehej mirë me trupin e saj dhe tashmë për të nuk ka më kuptim që femrat të depilohen.
“Me të vërtetë ajo ngjarje më hapi sytë, për një tabu që nuk e di pse ekziston,” tha ajo.
Disa nga njerëzit që e rrethonin si familjarë dhe miq, nuk e kuptonin zgjedhjen e saj, për të mos u depiluar më dhe nuk ishin dakord me pikëpamjen që ajo kishte.
“Kuptova se ka gjëra më të rëndësishme përse duhet të vlerësohen femrat dhe jo nga depilimi. Një femër e cila ka rritur qimet e trupit është po aq e bukur sa të gjithë të tjerat që janë depiluar. Kur e mendova hollësisht këtë gjë, vendosa të organizoja fushatën Januhairy,” shton ajo.
Pas replikave të ndryshme, disa nga miqtë e saj kanë qenë mbështetës për fushatën, edhe pse nëna e saj fillimisht kishte vënë në dyshim motivet e së bijës. Në disa momente mendonte se kauza e saj vinte për shkak të dembelizmit, deri në momentin që e kuptoi se thirrjet e Jakcson nuk ishin thjesht një kapriço por një e drejtë e të gjitha femrave. Pasi e kuptoi konceptin e fushatës, nëna e saj vendosi të merrte pjesë në të, duke mbështetur vajzën e saj.

“Kjo fushatë nuk është vetëm që njerëzit të kuptojnë se rritja e qimeve të trupit është normale, por më shumë një projekt frymëzimi që ata të kuptojnë se duhet të kujdesen për veten, ashtu si ata e mendojnë dhe jo siç do shoqëria,” thotë Jackson.
Renate Fromson, një tjetër studente 25-vjeçare nga Londra, zgjodhi të rriste qimet e trupit të saj, pasi kaloi një verë në Vermont e rrethuar nga gratë që e shihnin rritjen qimeve të trupit krejtësisht normale.
“Kur fillon pubertiteti, qimet fillojnë të rriten në trupin tuaj dhe kjo është gjëja më e natyrshme në botë, kështu që nuk ka pse të quhet diçka e habitshme. Duke inkurajuar vajzat që të heqin qimet, pasi kështu do të ndjehen mirë dhe do të duken perfekte, ne i shtyjmë ato të mos duan veten për çfarë janë. Sa më shumë vajza të tregojnë që nuk do të depilohen, aq më shumë do të inkurajohen femrat e tjera për të përqafuar trupin e tyre ashtu siç e ka bërë natyra,” thotë Fromson.
Jackson gjithashtu, ka krijuar një faqe e cila quhet Just Giving për fushatën Januhairy, me qëllim të mbledhjes së fondeve për të krijuar programin e edukimit të femrave të quajtur Body Goossip. / The Independent/

 

Më Shumë