Irena Beqiraj

Fushata me këngë e valle edhe humbja e opozitës!


Aktivisti politik skoces Andre Fletcher dikur thëriste "Më lini të ofroj këngët që pëlqejnë një kombi edhe nuk ka më asnjë rëndësi se   kush do i shkruaj  ligjet e tij.

Fushata e Partisë Socialiste ofroi argëtim më shumë sesa informacion mbi një program politik. Videot e shpërndara ishin spektakël liturgjik i shkrirjes së udhëheqësit  me "popullit", ku udhëheqësi kërcënte ndërsa turma këndonte . Këto lloj shfaqjesh, nuk janë të reja në populizmin bashkëkohor. Në librin e tij “Populisms: A Quick Immersion” Carlos de la Torre, profesor i sociologjisë në Universitetin e Kentakit, shpjegon se një nga aftësitë e  populizmit është të mjegullojë kufirin midis politikës dhe argëtimit.

Duke ofruar kënaqësi muzikore me të cilën njerëzit janë mësuar edhe pëlqejnë, megjithëse shumë analistë këngën e zgjedhur e komentuan si “degradim të shijeve muzikore të liderit”, Partia Socialiste  tentonte " të thyente" kufijtë midis njerëzve të pushteshëm edhe njerëzve të zakonshëm.

Pra, kërcimi edhe muzika u përdoren si një strategji legjitimimi politik që synoi të ndikonte tek njerëzit duke i unifikuar ata psikologjikisht. E pra qëllimi i fushatës së Partisë Socialiste nuk ishte të modifikonte idetë, apo të transformonte opinionet, përkundrazi qëllimi ishte hipnotizues. Thjesht të nxiste besimin emocional. Për më tepër, kur kemi të bëjmë me një elektorat të varfër të keqarsimuar të pafatë për të lidhjen midis shkaqeve dhe pasojave, nxitja  emocionale është rruga më e shkurtër për arritjen e qëllimeve, një prej të cilave ishte pjesëmarrja e ulët !

Njerzit që ndjekin zgjedhjet në Shqipëri e dinë që nëse pjesmarrja është e ulët, nën 47%  rezultati është në favor të partisë në pushtet. Psikologu BF Skinner e thotë  që "kur mundësia që vota e një njëriu të jetë vendimtare në votime apo te ndikojë në jetën e tij, është më e ulët se mundësia që ai të pësojë aksident rrugës për në qendrën e votimit, njerëzit preferojnë të mos dalin në votime”.

Që ndryshimi të ndodhte përtej pakënaqesisë me situatën duhet që të plotesoheshin njeherazi 2 kushte të tjera, duhet të kishte një vizion të qartë edhe të ndryshëm nga i më parëshmi, edhe hapat e parë drejt një të ardhmeje ndryshe duhet të ishin të qartë. Këto dy variabla nuk plotësoheshin nga opozita. Madje edhe mbrojtësit më të zjarrtë të ndryshimit kishin vetëm një argument të qendrueshëm, nevojën për rotacionin. Por rotacioni përse  nuk i nxjerr njerëzit në votime.

Kënga "ta hangsha zemrën " padyshim nuk do ti çonte njerëzit në votime, kjo nuk ndodhi as në bastione socialiste si Vlora  por  fundja qëllimi i PS nuk ishte rritja e pjesëmarrjes, përkundrazi.

Por as shërbimet falas edhe taksat e ulta nuk i çojnë shqiptarët të cilët jetuan 50 vjet në shtëpi falas edhe nuk paguan taksa, drejt kutive të votimit. Ndërkohë ka ardhur koha të pranohet ajo që tregojnë studimet, se fushatat negative i mbajnë votuesit jopartiak larg kutive të votimit, këtu nuk bën përjashtim as votuesi shqiptar. Edhe opozita që të fitonte e kishte të domosdoshme pjesëmarrjen.

Megjithë premtimet parazgjedhore opozitare se do të mbrohet çdo votë, opozita do të kryjë ritualin e ankimimit publik e institucional poszgjedhor 30 vjeçar të  vjedhjes së votave, të blerjes së tyre, i cili i ka shërbyer vetëm kalimit nga beteja në betejë pa fitore, (kjo është fitorja e 8 për Ramën). Mospranimi i humbjes që për mendimin tim qëndron tek pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, por kërkimi i fajit tek vjedhja edhe blerja ka legjitimuar drejtusit e konsumuar partiak.  Opozita ka nevojë për një drejtim krejt të ri në figura edhe qasje, ndryshe fushatën tjeter nuk do kërcejë Rama për tu argëtuar ne, por do të kërcejmë ne për të argëtuar Ramën.


Copyright © Gazeta “Si”