Lojëra me Dore

Fundi i një ere! Pas 17 vitesh Rafael Nadal rrezikon të dalë nga top 10

Gazeta Si – Tenisti spanjoll është mes 10 më të mirëve të listës që prej vitit 2005, për një total prej 906 javësh. Një rekord. Tani mund të qëndrojë jashtë disa muaj dhe kundërshtarët, që nga Auger-Aliasime deri te Medvedev, kanë një rast të mirë për ta parakaluar.

Gjithçka përfundon, herët a vonë. Edhe qëndrimi në top 10 i Rafael Nadal është në rrezik. Pas 906 javësh, më shumë se 17 vjet, spanjolli muajt e ardhshëm mund të shohë fundin e atij që mbetet një nga rekordet më të pabesueshëm të historisë së tenisit të meshkujve.

Rafael Nadal duke marre ndihmen mjekesore ne Australi. Gazeta Si, 1 shkurt 2023

Nadal e kryeson këtë klasifikim special me një avantazh të madh ndaj vendit të dytë. Pas tij është Xhimi Konors në kuotën e 788 javëve, me më shumë se dy vjet disavantazh.

Një provë jetëgjatësie e pabesueshme, e filluar në 2005-ën dhe që e ka bërë Rafael Nadalin legjendë. Fituesi i 22 Slam-eve, pas eliminimit në turin e dytë të Australian Open, ka zbritur në vend të 6-të, pozicioni më i ulët që nga 2021-shi deri më sot. Për të gjetur një pozicion më të keq duhet shkuar më 17 prill 2017, kur spanjolli ishte në vend të 7-të.

Nadal rrezikoi të dilte nga 10-shja edhe në 2015-ën, kur nga 8 qershori deri më 27 korrik ‘notonte’ në vend të 10-të, por më pas e mori veten. Situata tani është ndryshe. Nadal duhet që deri në fund të Masters 1000 amerikane të fitojë 1100 pikë. Jo pak, duke parë gjendjen fizike të tenistit, aktualisht i dëmtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë