Gazeta Si – FSHF është gati të sjellë në Shqipëri fazën finale të një Kampionati Europian të moshave. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Europianit U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027, si dhe Europianin U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Në atë mbledhje do të merren edhe vendimet e rëndësishme.
Kandidate është edhe FSHF, që ka bërë aplikimet përkatëse. Në garë janë edhe Federata nga vende të rëndësishme europiane.
Në aplikimin e FSHF-së është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen edhe 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, që do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Europian për moshat. Ky është suksesi parë, duke parë kriteret e larta që aplikohen në organizimin e kompeticioneve të tilla me interes të madh ndërkombëtar.
E drejta për organizimin e një Europiani, nëse ky besim do t’i jepet FSHF-së nga UEFA, do të ishte padiskutim ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Organizimi i një Europiani tejkalon pa dyshim dhe organizimin e finales historike të UEFA Conference League.
Për kompeticionet që ka aplikuar FSHF do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, duke sjellë në vendin tonë interes të madh mediash, tifozësh dhe sigurisht skuadrash të mëdha, që do ta kthenim vendin tonë për një muaj në epiqendër të lëvizjes futbollistike europiane.
Një Europian në Shqipëri do të kishte ndikim të madh edhe tek të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, që jetojnë me futbollin si dhe do të përfshinte në organizimin e tij mijëra të tjerë. Në të njëjtën kohë, me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore. Do duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.