Drejtësia

Fshehu dënimin në Greqi, kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari ‘ndëshkohet’ me 150 orë punë

Gazeta Si – GJKKO ka dënuar me 9 muaj burg kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili nuk deklaroi dënimin në formularin e dekriminalizimit në Greqi.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme vendosi ta dënojë me gjykim të shkurtuar, por që do t’i konvertohen në 150 orë pune në komunitet.

Avokati i kryebashkiakut, Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së Hajdarit.

“Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Duhet të merret vendimi i formës së prerë, se ne do të apelojmë. Sipas nenit 63, nuk figuron i dënuar personi që dënohet me punë në komunitet”, tha Sollaku.

Hajdari kërkoi gjykim të shkurtuar kur GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj tij për akuzën ‘falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve’, më shumë se një herë lidhur me mosdeklarimin e procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi.

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK më 15 nëntor 2023, për akuzën e “Falsifikimit të Vulave, Stampave Ose  Formularëve” kryer në bashkëpunim.

Vetë kryebashkiaku mohoi të ketë falsifikuar dokumentet apo të ketë gënjyer në formularin e dekriminalizmit, një proces që bëhet për çdo kandidat përpara garimit në zgjedhje.

Hetimet për kreun e bashkisë së Kuçovës nisën, pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” i bëri të ditur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se Hajdari kishte fshehur një dënim të formës së prerë në shtetin grek për “Kalim të Paligjshëm të Kufirit”, gjë të cilën ai e nuk e kishte treguar në formularin e dekriminalizimit.

Komisioni kërkoi ndihmën e organeve të drejtësisë, të cilat morën konfirmin nga pala greke për dënimin e Hajdarit. Pas kësaj, SPAK çeli hetimet, të cilat u mbyllën më 15 nëntor.

Sipas SPAK, autoritetet greke konfirmuan se Hajdari është dënuar me masë riedukuese nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Hajdari i kishte mohuar më herët akuzat duke pretenduar se nuk kishte dijeni. Megjithatë, KQZ nuk ia ndërpreu mandatin Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak i Kuçovës.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se vepra penale për kalim të paligjshëm të kufirit për të cilën është dënuar, nuk është një pengesë ligjore për të marrë një funksion publik, si rrjedhojë Kreshnik Hajdari, nuk ka pasur detyrimin për ta deklaruar në formularin e dekriminalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë