Analize

Frika nga “kryeministri shqiptar” bashkon Zaevin me opozitën maqedonase

Ideja e një kryeministri shqiptar duket se ka tronditur thellë themelet e skenës politike në Maqedoninë e Veriut. Mundësia që vendi fqinj të udhëhiqet nga kandidati shqiptar për kryeministër, Naser Zyberi, ka sjellë atë që përpara një muaji do të ishte e paimagjinueshme: bashkimin e partive maqedonase.

Askush nuk do ta kishte menduar se ish-kryeministri Zoran Zaev do të pranonte të ndihmonte VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit të vinte në pushtet, por si qeverinë, ashtu edhe opozitën duket se i ka alarmuar mundësia e një kryeministri shqiptar.

Duke folur për qeverinë e re që do të udhëheqë vendin pas 15 korrikut, kreu i LSDM-së Zoran Zaev zbuloi dashje-padashje se ai dhe kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski kishin arritur tanimë një armëpushim, për të bllokuar zgjedhjen e Zyberit.

I pyetur a do të pranojë kushtin e BDI-së për kryeministër shqiptar, Zaev e bëri të qartë se për partinë e tij një gjë ishte e sigurt: kryeministri i ardhshëm do të ishte maqedonas.

“Nuk ka asnjë mundësi që të pranojmë kushtet e BDI-së për kryeministrin shqiptar”, tha Zaev, duke i zgjatur për herë të parë publikisht dorën VMRO-DPMNE-së, me të cilën duket se ka gjetur një armik të përbashkët: BDI-në.

Ish-kryeministri deklaroi se është i gatshëm që t’i jepte 13 deputetë VMRO-DPMNE-së për të formuar Qeveri, duke përjashtuar BDI-në, por edhe partitë e koalicionit opozitar ASH-AA.

Ish-kryeministri Zoran Zaev, Gazeta Si, 2020

“Shpresoj që edhe VMRO-DPMNE do të na ofrojë 6 deputet për të ofruar qeverinë”, tha ai .

Lideri socialdemokrat e bëri të qartë që ditën e parë që Ali Ahmeti deklaroi se do të hynë në zgjedhje me një kandidat shqiptar, se nuk pranon kushtin e BDI-së. Duke sulmuar ashpër partinë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Zaev deklaroi se kishte ardhur që BDI të kalonte në opozitë.

Megjithatë, aksush nuk e priste që ideja e një kryeministri shqiptar do ta detyronte Zaev të bashkohej më armikun e vjetër, dhe të ndihmonte VMRO-DPMNE-në opozitare për të formuar qeveri pakice.

Edhe kreu i opoziës maqedonase Kristian Mickoski duket se është në të njëjtën linjë. Duke iu përgjigjur Zaevit në një debat televiziv, ai tha VMRO-DPMNE do të shënojë fitore bindëse por se do të mund ti duhen vetëm 1 apo 2 deputetë të LSDM-së për të formuar Qeverinë. Dy partitë janë përplasur ashpër jo vetëm pas arratisjes se ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por edhe për Marrëveshjen e Prespës dhe shtyrjes së hapjes së negociatave. Madje presioni i opozitës  ishte ai shtyu Zavin të dorëhiqej vitin e kaluar, duke çuar në krijimin e një qeverie teknike.

Por kur bie fjala për udhëheqjen e vendit nga një parti shqiptare si Zaev, ashtu edhe Mickovski janë të gatshëm të lënë pas dallimet partiake, duke e kthyer këtë gara politike, në një garë etnike. Për kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, si LSDM-ja ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja janë të alarmuara sepse e dinë që votuesit shqiptarë mund të zgjedhin një udhëheqës të vetëm.

Sipas tij, ashtu sikurse zgjodhën Kryeparlamentarin, Ministrin e Brendshëm dhe të Mbrojtjes, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të kenë edhe Kryeministrin.

“Me kryeministër shqiptar rritet besnikëria e shqiptarëve ndaj shtetit. Me kryeministër shqiptar forcohet integriteti dhe sovraniteti i shtetit. Ne nuk marrim hisen e tjetërkujt, por po luftojmë për hisen tonë, për të cilën kemi derdhur gjak”, deklaroi ai.

Megjithatë, partitë shqiptare nuk duken aq të gashtme për t’u bashkuar për interesin e përbashkët, ndryshe nga ato maqedonase.

Naser Zyberi

Lëvizjen Besa, e cila ka nënshkruar tanimë një koalicion me LSDM-në, deklaroi se mbështet deklaratën e Zaevit, pasi nuk mund ta pranojë mënyrën sesi BDI-ja ka paraqitur idenë e kryeministrit shqiptar.

“Mënyra se si imponohet në skenë propozimi nga ana e BDI-së është thjeshtë një retorikë për të shpëtuar veten nga rrëzimi nga pushteti”, thotë Arijanit Hoxha, deputet i Lëvizjes Besa.

Por për zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmani deklarata e Zaevit është retorikë parazgjedhore dhe mund të ndryshojë pas 15 korrikut.

“Sa fjalime të tilla kemi dëgjuar para çdo zgjedhjeje, para zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit, para ndryshimit të Kushtetutës, para Ligjit të gjuhëve, para çdo arritjeje tona. Por, atë që kemi premtuar ne edhe e kemi realizuar. Prandaj po them, ata po bëhen promotorët më të mëdhenj të kësaj ideje. Po bien maskat çdo ditë e më tepër”, tha zëvendëskryeministri Osmani.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë