Bota

Francë, 1.2 milionë njerëz në errësirë ​​për shkak të stuhisë ‘Ciaran’. Në alarm edhe Italia

Gazeta Si- Në Francën veriperëndimore rreth 1.2 milionë shtëpi mbetën pa energji elektrike mëngjesin e së enjtes pas kalimit të stuhisë “Ciaran”. Vërshimet e erës kaluan 170 kilometra në orë, sipas menaxherit të rrjetit “Enedis”.

Stuhia “Ciaran”, "shkaktoi dëme serioze në rrjetin publik të shpërndarjes së energjisë elektrike në veriperëndim të vendit", tha “Enedis” në një deklaratë. Mbi 780 mijë nga shtëpitë e izoluara ndodhen në Brittany.

Një shofer kamioni ka humbur jetën në departamentin Aisne, në veri të Francës, për shkak të rënies së një peme si pasojë e motit të keq të shkaktuar nga stuhia.

Këtë e ka bërë të ditur ministri francez i Transportit, Clement Beaune, në transmetuesin radioteleviziv “France info”. “Ka ndalime të qarkullimit që mbeten”, tha ministri.

Autoritetet kanë evakuuar nga shtëpitë e tyre 39 banorë të ishullit të La Manshit anglez, Jersey.

Sipas BBC, policia tha në platformën “X“, se kushtet aktualisht janë "të rrezikshme", duke i kërkuar publikut të qëndrojë në shtëpi.

Të evakuuarit, përfshirë 6 fëmijë, u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve nga stuhia.

Erërat me shpejtësi deri në 149 km/h janë regjistruar në aeroportin Xhersi, ndërsa në ishullin St.Mary’s, në ishujt Scilly, kanë arritur një shpejtësi maksimale 123 km\h.

Gjatë natës në departamentin Manica, gjithashtu në Francën veriore, 142 zjarrfikës ndërhynë siç njoftoi prefektura lokale, e cila foli për operacione të lidhura me "rënien e pemëve dhe materialeve" dhe "fillimet e zjarreve".

Në departamentin e Calvados, u regjistruan erëra prej 26o kilometrash në orë.

Stuhia “Ciaran” ka mbërritur edhe në Itali dhe në orët e ardhshme do të çlirojë të gjithë fuqinë e saj në rajonet veriore dhe qendrore të Tirrenit.

Intensiteti i reshjeve që do të godasin sot rajonet veriore mund të krijojnë ndërprerje të mëdha dhe probleme hidrogjeologjike.

Përveç reshjeve, do të duhet t'i kushtohet vëmendje edhe erës, e cila, duke përkuar me kalimin e pjesës së përparme, do të rritet papritur në intensitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë