Teknologji dhe Inovacion

Franca po bën gati dy taksi fluturuese me korsi të dedikuara për Lojërat Olimpike

Franca do të fillojë testimin e taksive elektrike ajrore në muajt e ardhshëm në një qendër jashtë Parisit me qëllim që të ketë dy shtigje fluturimi të dedikuara për të transportuar pasagjerët në kohë për Lojërat Olimpike Verore 2024.

Njëra rrugë do të lidhte aeroportet Paris-Charles de Gaulle dhe Le Bourget dhe tjetra do të ishte midis dy periferive në jugperëndim të kryeqytetit francez, sipas një deklarate të enjten,25 nëntor nga Aeroporti i Parisit.

“Volocopter GmbH, Airbus SE, Vertical Aerospace Group Ltd, Lilium NV dhe Joby Aviation janë ndër zhvilluesit e avionëve që marrin pjesë në projekt së bashku me autoritetin e aviacionit civil të Francës,” tha operatori i aeroporteve.

Zonat e uljes dhe ngritjes në qendrën Pontoise-Cormeilles-en-Vexin u përshtatën për testet në fillim të këtij viti.

Avionët e ngritjes dhe uljes vertikale elektrike, ose eVTOL, po shfaqen me shpejtësi si një treg i ri transporti, me zhvilluesit që mbledhin qindra miliona dollarë për projektet e tyre.

Vertical Aerospace e Britanisë dhe rivali gjerman Volocopter janë ndër kompanitë evropiane që konkurrojnë për porosi së bashku me Lilium.

Projekti francez i shtohet një liste në rritje të bazave të planifikuara në mbarë botën, duke përfshirë ato që promovohen nga firma e infrastrukturës Urban-Air Port dhe prodhuesi koreano-jugor i automjeteve Hyundai Motor Co, i cili synon hapjen në fillim të vitit të ardhshëm të një lokacioni të parë në Coventry, Angli.

Burimi: Bloomberg/ Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë