Analize

Franca mesazh Tiranës dhe Shkupit: Duam reforma reale, jo formale!

Ambasadori i Francës në Shkup Christian Thimonier, ka afirmuar qëndrimin e vendit të tij për rivlerësimin e procesit të zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke folur në një forum të shoqërisë civile.

"Reformat në vendet kandidate duhet të jenë reale dhe rrënjësore, jo formale", deklaroi Thimonier, duke iu referuar Shkupit dhe Tiranës. Sipas Ambasadorit, opinioni francez është "shumë i ndjeshëm" ndaj zgjerimit të unionit.

"Zgjerimi po arrin kufijtë e tij, duke na bërë të pyesim nëse vendet e rajonit po zbatojnë me të vërtetë të njëjtat procese dhe reforma për anëtarësimin? A ndajmë vërtet të njëjtat vlera, apo ka ardhur koha të fillojmë të prezantojmë hapa shtesë? ", pyeti ambasadori Thimonier.

Pasi Franca refuzoi hapjen e bisedimeve të zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e kaluar, Presidenti Macron u dërgoi të gjitha vendeve anëtare, por edhe Shqipërisë, një letër me gjashtë faqe, duke sugjeruar rishikimin e negociatave të pranimit.

Christian Thimonier, Gazeta Si, dhjetor 2019

Edhe pse dihet shumë pak për ndryshimet që mund të sjellin këto rishikime, ose kur do të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ambasadori Thimonier solli shembullin e Malit të Zi si një vend që filloi para kohe hapjen e kapitujve për hyrjen në BE, por që sipas tij ka ende një rrugë të gjatë përpara.

“Çfarë duhet të na tregojnë pabarazia ekonomike në Mal të Zi? A është ky shtet një vend me të cilin mund ndajmë sovranitetin tonë? Pjesa më e madhe e pasurisë së Malit të Zi është e përqendruar në 10 ose 12 familje. Kjo është arsyeja pse ne do të dëshironim të ndryshonim dhe rishikonim rregullat e zgjerimit" shtoi ai.

Ndryshimin e metodologjisë së integrimit e ka mbështetur edhe Komisioneri i ri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Pasuesi i Johannes Hahn njoftoi gjatë një mbledhje të nivelit të lartë në Bruksel me eurodeputetë dhe deputetë nga Ballkani Perëndimor se Komisioni Europian do të paraqesë propozime të reja për negociatat me vendet që duan të hyjnë në BE. Ai gjithashtu u zotua të vazhdojë të mbrojë propozimin e Komisionit për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përpara Samitit të Zagrebit në maj.

Oliver Varhelyi , Gazeta Si, dhjetor 2019

"Ne kemi nevojë të përshpejtojmë procesin e reformave në vendet kandidate. Treguesi më i mirë duhet të jetë prosperiteti ekonomik, cilësia e jetës dhe liria e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Várhelyi

Këto ndryshime sipas tij do të vijnë si një reagim ndaj shqetësimeve të shteteve anëtare të BE-së. Komisioneri i ri shprehu mbështetjen e tij për idenë e propozuar nga Franca se rajoni duhet të integrohet gradualisht në fusha të ndryshme të BE-së.

"Ne do të vazhdojmë t'i kushtojmë vëmendje sundimit të ligjit, reformave ekonomike dhe reformave së administratës publike", tha Várhelyi, duke shtuar se angazhimi më i fortë politik në rajon është i nevojshëm, jo për hir të Unionit, por për hir të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

"Ballkani Perëndimor duhet të angazhohet fort me Agjendën tonë Dixhitale dhe rrjetet trans-europiane, në mënyrë që qytetarët të korrnin përfitimet e anëtarësimit të pjesshëm", tha ai.

Pas dritës së kuqe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe kritikat që erdhën nga Brukseli dhe Berlini, Parisi paraqiti një propozim për publikun europian për të reformuar procesin e negociatave. Macron propozon që kapitujt të zëvendësohen me shtatë faza, duke u përfshirë gradualisht në institucionet e BE-së dhe marrjen e fondeve, por edhe vendosjen e kushteve më të rrepta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë