Analize

Franca hyn në karantinë, Europa në kaos. Pandemia “shkatërron” Pashkët

Franca ka hyrë sot në bllokimin e tretë kombëtar ndërsa lufton me rritjen e shpejtë të rasteve të Covid-19 dhe mbingarkimin e spitaleve. Të gjitha shkollat ​​dhe dyqanet jo-thelbësore do të mbyllen për katër javë dhe një shtetrrethim do të jetë në fuqi nga ora 19:00 deri në 06:00, duke shkatërruar edhe një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë: Pashkët.

Të premten, numri i pacientëve të sëmurë rëndë në njësitë e kujdesit intensiv ICU u rrit me 145 në ditë, bilanci më i lartë në pesë muaj. Presidenti Emmanuel Macron ka premtuar se do të rrisë numrin e  shtretërve spitalorë për pacientët me Covid-19.

Franca aktualisht po lufton me një kulm prej rreth 5,000 pacientësh në njësitë e kujdesit intensiv. Të premten, ajo regjistroi 46 677 raste të reja dhe 304 vdekje.

Por me kufizimet që hynë në fuqi të shtunën, njerëzit do të kenë nevojë gjithashtu për një arsye të vlefshme për të udhëtuar më shumë se 10 km larg nga shtëpitë e tyre.

Presidenti Macron kishte shpresuar të mbante nën kontroll rastet e koronavirusit pa pasur nevojë të vendoste një bllokim tjetër. Sidoqoftë, Franca po përballet me një vonesë në përhapjen e vaksinave, ashtu si pjesa tjetër e BE-së.

Po pjesa tjetër e Europës?

Europa Lindore shpëtoi nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020, por situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe disa vende që përjetojnë raste dhe vdekje rekord. Polonia po lufton për të përballuar numrin më të lartë të infeksioneve të reja që nga fillimi i pandemisë, 60 herë më i lartë se pranverën e vitit të kaluar, për shkak të variantit anglez.

Në zonën më të prekur të Silesias, pacientët po transferohen në spitale më pak të ngarkuara në provincat fqinje. Qeveria tani po përpiqet të tërheqë mjekë nga jashtë. Polonia shmangu një numër të lartë të infeksioneve dhe vdekjeve kur pandemia filloi falë një bllokimi të rreptë, mbylljes së kufijve të saj dhe kufizimit të lëvizjes së njerëzve, por kjo qasje nuk ishte e qëndrueshme dhe lëvizja dhe jeta ekonomike rifilluan.

Shkollat, dyqanet dhe bizneset janë mbyllur përsëri, por kishat në këtë vend thellësisht katolik mbeten të hapura për një numër të kufizuar adhuruesish për Pashkët.

Hungaria po ashtu ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë nga Covid-19 në botë, me më shumë se 21,000 vdekje qw lidhen me koronavirusin dhe një valë të tretë që merr qindra jetë çdo ditë. Hungaria ka nivele të larta të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës dhe një shkallë të lartë fataliteti mes njerëzve që kanë nevojë për oksigjen. Megjithëse qeveria bleu 16,000 ventilator verën e kaluar, ajo nuk ka njerëz për t'i operuar për shkak të mungesës së mjekëve.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier

Në Gjermani, Presidenti Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje njerëzve të luajnë rolin e tyre dhe të vaksinohen. Duke folur në një fjalim televiziv drejtuar kombit të shtunën, ai tha se vendi ishte në mes të një vale të tretë dhe se do përballej me më shumë kufizime.

Ai gjithashtu pranoi që qeveria kishte bërë gabime, posaçërisht në testime dhe në shpërndarjen e vaksinave  dhe foli rreth ekzistimit të një "krize besimi" në shtet.

"Sigurisht, nuk ka asnjë rrugë të shkurtër për të dalë nga pandemia," tha Presidenti Steinmeier.

"Ne kemi nevojë për qartësi dhe vendosmëri, kemi nevojë për rregulla të kuptueshme dhe pragmatike në mënyrë që njerëzit të ndjekin nje drejtim.

Muajin e kaluar, zyrtarët gjermanë njoftuan se vendi do të vendoset në një bllokim të rreptë gjatë Pashkëve, për të ndryshuar vendimin vetëm disa ditë më vonë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti planin për një bllokim nga 1 deri në 5 Prill një "gabim" dhe tha se ajo merrte "përgjegjësi" për këtë gabim.

 Italia gjithashtu hyri në një bllokim të rreptë tre-ditor të shtunën në mënyrë që të parandalojë një rritje të rasteve gjatë fundjavës së Pashkëve. Të gjitha rajonet janë tani në "zonën e kuqe", niveli më i lartë i kufizimeve, pasi vendi fqinj regjistron rreth 20,000 raste të reja në ditë.

Lëvizjet thelbësore janë ndaluar, por njerëzit lejohen të ftojnë shtëpitë e tyre dy familiarë. Kishat janë gjithashtu të hapura, por qytetarëve u thuhet të marrin pjesë në shërbimet brenda rajoneve të tyre.

Rajone të ndryshme do të qëndrojnë në kufizimet e "zonës portokalli" ose "zonës së kuqe" deri në fund të muajit.

Qeveria italiane njoftoi gjithashtu se po vendoste 70,000 policë shtesë në mbikëqyrje në të gjithë vendin, në mënyrë që të zbatonte rregullat e bllokimit.

"Kjo nuk është koha për të ulur kujdesin dhe për të hequr dorë nga përgjegjësia që kemi treguar deri më tani," tha Ministri i Brendshëm Luciana Lamorgese sot për gazetës Il Messaggero.

Çfarë po ndodh me vaksinat në Europë?

Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kritikoi Europën për përhapjen e ngadaltë të vaksinave, duke e quajtur të papranueshme dhe tha se situata në kontinentin e vjetër është tani më e keqe sesa disa muaj më parë.

"Vaksinat paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi ... Sidoqoftë, përhapja e këtyre vaksinave është e ngadaltë," tha drejtori i OBSH-së për Europën Hans Kluge në një deklaratë.

"Ne duhet të përshpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo shishkë që kemi në magazinë, tani."

Në ndërkohë, për sa kohë që mbulimi i vaksinave mbetet i ulët, ai tha se vendet e BE do të duhet të vendosnin bllokime dhe masa të tjera për të kompensuar vonesat. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë