Ngjarje

Fqinji vret me thikë 60-vjeçarin në Maliq pas konfliktit për qentë

Gazeta Si - Një 60-vjeçar ka ndërruar jetë në spital, pasi ka marrë një goditje me thikë nga fqinji i tij pas një konflikti për qentë në Rëmbec të Maliqit.

Viktima Nesti Sotir, ka qenë duke u kthyer së bashku me kopenë e bagëtive nga kullotat, për në stallat të cilat i ka shumë afër shtëpisë.

Kur ka qenë vetëm 50 metra larg banesës, drejt kopesë së tij janë sulur qentë e Velo Hazisllarit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i viktimës, i cili për t’u mbrojtur ka goditur me shkop qentë e autorit. Kaq ka mjaftuar, për të vijuar me një përleshje me shkopinj mes viktimës dhe autorit, edhe më pas Velo Hazisllari, ka nxjerrrë një biçak, të cilin e kishte me vete, duke e goditur vetëm një herë në pjesën poshtë barkut.

Goditja ka qenë fatale për jetën e 60 vjeçarit. Të njëjtat burime thanë se autori dhe viktima, edhe duke qenë fqinj, kishin shumë vite që nuk flisnin me njëri tjetrin, shkak ishte ndarja e një depoje që do të përdorej gjatë këtyre viteve nga të dy për stallë bagëtish.

Grindje të vazhdueshme, mes Sotir dhe Hazisllarit, ka pasur edhe për kullotat. Autori, për shkak të plagëve që ka marrë gjatë përleshjes me shkopinj ndodhet i shtruar në spitalin e Korçës.

Vëllai i autorit u shpreh i tronditur nga ngjarja e rëndë. “Nuk di gjë, sapo kam ardhur nga Greqia. Ishim bashkëfshatarë. Në vitet që unë kam qenë këtu, kanë qenë shumë shokë, shumë të dashur, shumë të respektuar. Nuk e di”, tregon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë