Ngjarje

Fotot/ Familjarët e të shtruarve, me qese ushqimesh para Infektivit. Reagon Meta

Ngjitur me barrierën e ngritur, nga ku Spitali i Infektivit paralajmëron se nuk mund të shkosh më tutje, sot janë parë radhë familjarësh që presin informacione për të afërmit e tyre të shtruar si pasojë e Covid-19.

Ajo që nuk shkon në këto radhë është jo vetëm mungesa e cunguar e informacionit, për të cilën disa familjarë sot u ankuan publikisht nëpër media, por edhe qeset me ushqime që ata mbajnë nëpër duar nën temperatura të larta dhe kushte aspak higjenike, ushqime që presupozohet tu dërgohen familjarëve të shtruar me Covid-19. A është normale kjo?

Pamjet (që LSA ka sjellë përmes fotosh)  zor se mund t’i gjesh në vendet e tjera madje edhe ato ngjitur me ne.

Ndërkohë, nisur nga ankesat e familjarëve nëpër media, epidiomologu, Pëllumb Pipero ka dalë nga Infektivi me një letër në dorë për të informuar secilin prej tyre mbi gjendjen e pacientëve të shtruar.

Një ditë më parë u tha se në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 21 paciente janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.

Po ashtu në dy spitalet, COVID 1 dhe COVID 2, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, vijojnë të marrin trajtim pacientë të dyshuar nga ana imazherike si të prekur.

Për situatën e krijuar para Infektivit ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.  

“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë.

Pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm”, shkruan Meta në faqen e tij Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë