Ngjarje

Fotot e Tahirit me shokët e burgut/ Drejtoria e burgjeve: U mblodhën se nuk kishte menzë, nuk pinë alkool

Nga Gazeta 'SI' - Fotoja e publikuar në rrjetet sociale të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me të burgosurit Vip, Klement Balili dhe Safet Bajri kanë detyruar drejtorinë e Burgjeve që të shpjegojë për kohën kur është shkrepur ajo dhe arsyet se pse katër shokët e burgut ishin mbledhur të gjithë bashkë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në një reagim publik thekson se "Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjees’. Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, në këtë reagim të pazakontë ka folur edhe për atë çfarë konsumuar të burgosurit, duke hedhur poshtë se pinin alkool. "Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese. Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë", thekson deklarata.

Për këtë drejtori, fotoja ka qenë shkrepur nga vetë institucioni, pra gardianët dhe jo nga shokët e qelisë.  "Fotografia në fjalë ka qenë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi. Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues", mbyllet deklarata.

Deklarata e këtij institucioni  erdhi pas deklaratave të forta dhe nga politikanët mbi të trajtimin e të privegjuara të personave të lidhur me pushtetin. Ish-kryeministri Sali Berisha do ta komentonte këtë foto : "Jo të gjithë shqiptarët vdesin nëpër burgjet e Edi Ramës, vdesin ata që janë aty për lekët e dritave por jo ata që janë aty si hajdutë e trafikantë. Këta të fundit kanë privilegjin të bëjnë turizëm në burg, në kavalishencën e tyre qeveritare, madje edhe të ngrenë dolli shëndeti për kapon e tyre, që i bëri sheikët e vendit më të varfër në Europë". Nuk dihet koha se kur është shkrepur kjo foto, por si Tahiri dhe Bajri janë burgut. Në korrik të vitit 2022, Saimiri Tahiri u transferua nga burgu i Fierit në atë të Lushnjës, pikërisht në këtë vend izolimi që është shkrepur dhe fotoja. Transferimi i tij u bë për shkak të përplasjeve të forta me drejtorin e burgut të Fierit, Arjan Hasani. Më 2 qershor të këtij viti Gjykata e shkallës së parë e Elbasanit, në Shqipëri, liroi nga burgu ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa i kishte mbetur pa shlyer edhe një vjet e tetë muaj nga dënimi. Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj heqje lirie, në shkurt të vitit 2022, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë