Anëtarët e Forcave Ajrore Shqiptare janë fotografuar nga "Reuters" duke ecur mes dhjetëra avionëve luftarak MiG në Bazën e Kuçovës. NATO ka vendosur se fundmi investimin e miliona eurove për rikonstruksionin e bazës ku uleshin në të kaluarën avionët sovjetikë.
Këshilli i Atlantikut ka theksuar ndikimin pozitiv që do të ketë ky investim në jetën ekonomike dhe sociale në zonën përreth. Lajmi se vendi ynë mund të bëhet shtëpia e bazës së vetme ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, i konsideruar si fortesa që mbron Europën nga Rusia dhe Kina, është pritur me bujë të madhe në rajon.
Ivestimi i 50 milionë euro në Kuçovë erdhi si një befasi e madhe për vendin tonë. Nuk kanë qenë të paktë analistët shqiptarë e të huaj që kanë parë bazën e NATO-s në Kuçovë si një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj bazës gjigante ruse në Nish.
Një vit më parë, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee, e quajti bazën ushtarake ruse në Nish të Serbisë, një qendër të posaçme për spiunazhin dhe aktivitete të tjera të dëmshme. Ndërkohë, në tetor, Moska i dhuroi Beogradit gjashtë avionë luftarakë “MiG-29”, të cilët u vendosën në bazën ajrore të Batajnicës, një zonat e dëmtuara rëndë nga sulmet e NATO-s gjatë konfliktit në Kosovë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.