Ngjarje

Foto/ Vrau gruan me thikë në Greqi, familjarët e vajzës shqiptare sulmojnë bashkëshortin në gjykatë

Familjarët e 31-vjeçares shqiptare, Anisa Shehu, e cila u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, kanë sulmuar autorin e krimit para gjykatës në Greqi, ku u paraqit për masën e sigurisë.

Sipas mediave greke, të cilat kanë publikuar edhe fotot, situata ka qenë kaotike, edhe pse Florand Shehu shoqërohej nga disa agjentë të policisë.

Të afërmit e gruas së pafat hodhën shishe uji dhe kafe drejt tij, ndërsa disa të tjerë tentuan ta sulmonin atë fizikisht. Në të njëjtën kohë ata kanë qenë të shokuar dhe nga deklarata që burri kishte bërë para policisë.

40-vjeçari shqiptar, tregoi se e kishte vrarë për arsye xhelozie. Gruaja shpesh mbyllte derën e dhomës, pasi bashkëshorti i saj bëhej agresiv.

Autori  ka pranuar përpara hetuesve se e vrau viktimën në kohën që ajo flinte. Gruaja është përpjekur të mbrohet, por ai e ka bllokuar dhe e ka qëlluar në qafë.

“Mbaj mend që u zgjua dhe nisi të bërtiste me të madhe. Ia mbylla gojën dhe më pas e godita sërish me thikë. Me të dy duart i mbylla gojën sepse po bërtiste. Kur ndaloi së rezistuari u ngrita dhe shkova në banjo. Hoqa rrobat dhe i hodha në kosh”, - ka treguar ai para hetuesve, sipas mediave greke.

Ndërkohë, gjykata do të vendosë dhe për kujdestarinë e djalit 10-vjeçar të familjes. Prindërit e Anisës kanë bërë kërkesë për ta marrë të miturin nën kujdestari. Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin grek dhe jo vetëm,, ndodhi pak ditë më parë në një lagje të Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë