Ka ndodhur

Foto-Video/ Në Lezhë 1.300 ha tokë nën ujë. Bie sipërfaqja e përmbytur në Shkodër. Reshje bore në veri dhe jug

Gazeta Si - Rreth 1300 hektarë tokë janë përmbytur në Lezhë nga reshjet e dendura të dy ditëve të fundit.

Sipas të dhënave të bashkisë, konkretisht, 500 ha sipërfaqe toke janë të përmbytura në fshatin Torovicë, ndërsa 800 ha në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht.

Në njësinë administrative Dajç, Bashkia Lezhë, ka ulje të nivelit të ujit me rreth 20 cm. Ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla.

Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës, kurse rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht.

Ka rritje të nivelit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme nga mjetet.

Nga ana  e Kryqit të Kuq, dega Lezhë janë dhënë ndihma ushqimore për 1 familje të evakuar në fshatin Mabë. Në fshatin Kakarriq vazhdon të ketë prezencë në 4 banesa, edhe pse niveli i ujit po vazhdon të ulet.

Një situatë më e qëndrueshme paraqitet sot në Shkodër, pas motit të keq të ditëve të fundit që la pas mijëra hektarë tokë dhe qindra banesa të përmbytura.

Sipas autoriteteve, këtë të martë sipërfaqja totale e  tokës së përmbytur në Shkodër është 1685 ha, ndërkohë që 26 familje janë evakuuar.

Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.00,shënoi kuotën 7.67 m, nga 8.70 m që është maksimumi, ndërsa Hidrometri i lumit Drin shënoi kuotën 5.90m nga 7.50 m që është maksimumi. Vështirësitë më të madhe janë në zonën e Nënshkodrës, Guri I Zi, Dajçi e Ana e Malit.

Sa i takon Durësit, niveli i ujit në Lumin Erzen dhe Ishëm është ulur dhe sipas autoriteteve situata duket më e qetë.

Ndërkohë, me uljen e temperaturave, kanë nisur dhe reshjet e para të borës në zonat të ndryshme të vendit.

Qarku juglindor i Korçës është përfshirë këtë të martë nga dëbora në zonat më të larta malore, si Mali i Thatë, Mokra dhe fshati Shtyllë.

Nuk paraqiten problematika për shkak se reshjet e borës kanë qenë jo në formë të dendur. Edhe fshati turistik i Dardhës mbrëmjen e djeshme është prekur disa minuta nga bora.

Zonat malore të qarkut të Elbasanit u zbardhën në orët e para të së martës së 22 nëntorit nga reshjet  e para të dëborës.

Reshjet e para të dëborës kanë mbuluar këtë të martë malin e Shebenikut, Steblevës, Sopotit, Polisit, Babjes, Gurit të Muzhaqit në Gurakuq.

Fshatrat malorë të Librazhdit dhe pothuajse të gjithë fshatrat e Steblevës janë zgjuar këtë mëngjes mbuluat nga shtesë dëbore, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Reshje të dendura të shiut prej dy ditësh ne rrethin e Bulqizës, janë shoqëruar me ulje të temperaturave, ç’ka ka sjellë edhe reshjet e para të dëborës gjatë natës dhe ditës së sotme në zonat malore 700 metra mbi nivelin e detit.

Policia lokale e Bulqizës me anë të një njoftimi i ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të mbajnë zinxhirët me vete.

Thirrja vlen shumë edhe për drejtuesit e mjeteve që transportojnë minatorët, pasi reshjet janë afruar në afërsi të sektorëve minerare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë