Ngjarje

Foto-Video/ Mbërrin grupi i parë me 121 afganë në Shqipëri, mes tyre edhe 11 foshnja

Kanë mbërritur në Shqipëri grupi i parë me 121 refugjatë afganë. Rreth orës 3.20 të mëngjesit  (27 gusht), u ul në zeroportin e Rinasit avioni i linjës “Almasria Universal Airlines”, ku mes dhjetëra burrave dhe grave, kishte edhe 11 foshnja.

Ata iu nënshtruan përpunimit të të dhënave individuale më pas u nisën drejt strukturave hoteljere në Durrës. Qytetarët janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA-ve dhe Policisë së Shtetit.

Grupi i parë nga 121 qytetarët afganë është akomoduar në një resort në bregdetin e Durrësit. Transporti i tyre është bërë në masa të larta sigurie.

Zona ku po akomodohen ruhet nga policia dhe kompani private sigurie. Të ardhurit trajtohen nga një staf mjekësh gjermanë.

Pas pak kohësh do nisë akomodimi edhe në struktura të tjera hoteliere të qarkut Durrës dhe bashkisë Kavajë. Afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytet Studenti.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre, pasi u kërcënohen nga talebanët.

Duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë amerikane, qeveria shqiptare është shprehur e gatshme të strehojë fillimisht 4000 afganë.

Ishte kryeministri Edi Rama ai që foli për një shifër të tillë në një intervistë për televizionin CNN.  Ndonëse është parashikuar që afganët të qëndrojnë në vendin tonë për të paktën 1 vit, Rama nuk e përjashtoi mundësinë që nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.

Qeveria miratoi dy ditë më parë vendimin për strehimin për një periudhë njëvjeçare të refugjatëve politikë afganë, të cilëve sipas vendimit do tu ofrohet edhe statusi i “mbrojtjes së përkohshme". Ndërkaq u ngrit një Task-Forcë e përbërë nga 7 ministra, e drejtuar nga Olta Xhaçka që do të merret në çdo hap, deri në akomodimin e tyre në vendet e përcaktuara në Tiranë, Durrës e Berat. Në listën e personave që pritet të vijnë në Shqipëri janë gazetarë, kineastë, artistë dhe arsimtarë.

Refugjatëve do t’u ofrohet menjëherë strehim i përshtatshëm, ushqim, veshmbathje, kushte minimale të higjienës dhe vizita mjekësore. Strehimi i tyre do të bëhet në konviktet te 'Qytetet Studenti' në Tiranë dhe në hotele në Durrës e Berat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë