Gazeta Si – Në Londrën e blinduar nga masa të forta sigurie, u mbajt këtë të hënë, ceremonia shtetërore për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II, e cila nisi prej orëve të para të mëngjesit.
Fillimisht arkivoli është vendosur në Katedralen e Uestministerit, ku u mbajt një shërbesë fetare në të cilin morën pjesë mijëra persona dhe që u finalizua më pas në Kështjellën Uindsor për një shërbim më privat.
Në fund, Mbretëresha Elizabeth II u varros në një ceremoni private në faltoren e Shën Xhorxhit, pranë burrit të saj të ndjerë, Princit Philip. Në pllakën prej mermeri në varrin e saj u gdhend: Elizabeth II 1926-2022.
Gjatë shërbesës, londinezët mbajtën 2 minuta heshtje. Ceremonitë e funeralit vazhduan me rrugëtimin e fundit të trupit të mbretëreshës në zonat më të frekuentuara të saj në Londër, kryesisht në ndërtesat qeveritare.

Mbreti Charles III ishte dukshëm i pikëlluar në hyrje të Westminster Abbey: monarku i ri fshiu lotët përpara se të fillonte të shoqëronte arkivolin në procesionin që e çoi në altarin qendror.
Ndërsa Eduard dhe gruaja e tij Sophie ishin gjithashtu dukshëm të prekur. Të pranishëm ishin edhe fëmijët e Princit Uilliam, George, 9 vjeç dhe Charlotte, 7 vjeç, të cilët mbanin një kapele për këtë rast.
Prej orëve të pra të mëngjesit, Britania, liderët botërorë dhe anëtarët e familjeve mbretërore nga e gjithë bota, u grumbulluan për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elizabeth, figurës së fundit madhështore të epokës së saj, në një funeral shtetëror të paprecedentë në histori.
Rreth 4 miliardë njerëz ndoqën funeralin e Elizabeth në mbarë botën në Tv, ndërsa përfaqësues nga 200 kombe ishin në kishë, sepse ajo ishte ikona më e madhe globale e kohës sonë: Macron e përmblodhi mirë kur tha se, “për ju britanikët, ajo ishte mbretëresha juaj, për ne ajo ishte ‘The Queen’”.






Në Londër, e cila është blinduar nga masat e forta të sigurisë, ishin rreth dy milionë njerëz për ceremoninë funerale.
Të gjithë liderët botërorë morën pjesë: nga Sergio Mattarella, tek Emmanuel Macron, Olena Zelenska, kryeministrja e re Liz Truss, Joe Biden dhe Justin Trudeau. Por mungoi vetëm presidenti rus, Vladimir Putin, i paftuar për funeralin shtetëror nga autoritetet brritanike për shkak të acarimit të marrëdhënieve pas pushtimit të Ukrainës.
“Samiti ndërkombëtar i shekullit”, e kanë cilësuar mediat britanike: me 500 personalitete nga 200 vende, duke përfshirë rreth 500 krerë shtetesh dhe qeverish, funerali i Elizabeth ishte gjithashtu një ngjarje e madhe diplomatike.






Personalitetet
Ishin rreth 500 udhëheqës botërorë , duke përfshirë Biden, perandorin Naruhito të Japonisë, nënpresidentin kinez, presidentin e Afrikës së Jugut, si dhe udhëheqës europian përfshirë edhe presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.
Princi George dhe motra e tij, Princesha Charlotte ishin në mesin e 2000 të ftuarve që morën pjesë në funeralin e Mbretëreshës.
Përveç personaliteteve, kongregacioni do të përfshijë edhe ata që janë nderuar me medaljet më të larta ushtarake dhe civile të Britanisë për trimëri, përfaqësues nga shoqatat bamirëse të mbështetura nga mbretëresha dhe ata që dhanë “kontribut të jashtëzakonshëm” në trajtimin e pandemisë COVID-19.
Shkollat u mbyllën, si dhe shumë dyqane dhe biznese të tjera. Dhjetëra miliona njerëz në Britani dhe jashtë saj ndoqën direkt në Tv funeralin e monarkes, diçka që nuk është transmetuar kurrë më parë në televizion .
Precedentët
Duhet të kthehemi në funeralin e Nelson Mandelës, në 2013, ose në ato të Papa Gjon Palit II, në 2005, për të gjetur diçka të ngjashme: dhe sigurisht në Britaninë e Madhe i vetmi precedent është funerali i George VI, babait të Elizabeth, në vitin 1952.
Nuk pritet një gjest i madh, siç është shtrëngimi i duarve mes Barack Obamës dhe Fidel Kastros në funeralin e Mandelës, që nisi shkrirjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës: por dje, në pritjen e ofruar në Pallatin Buckingham nga Mbreti Charles dhe bashkëshortja-Mbretëreshë Camilla, do të ketë pasur qasje dhe pajtime që do të shërbejnë për avancimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
Detajet e funeralit
Ndërkohë në orën 8:00, dyert e Westminster Abbey u hapën për 2000 të ftuarit e pritur, nga liderët botërorë te punëtorët e thjeshtë deri te perandori japonez.
Më tej në 10:44, kortezhi i parë i ditës u nis me mbretin Charles dhe anëtarët e tjerë mbretërorë që ecën pas arkivolit të Mbretëreshës ndërsa tërhiqet nga marinarët në karrocën e armëve shtetërore nga Salla e Westminsterit në Westminster Abbey
Në 11:55, u mbajtën dy minuta zi kombëtare. Ndërsa në orën 12:15 një procesion i dytë, më i madh, dërgoi arkivolin e saj në Wellington Arch.
Në orën 13:00, arkivoli i saj u dërgua në Windsor përgjatë një rruge që ishte e tejmbushur me njerëz, të cilët do t’i japin lamtumirën e fundit përmes përshëndetjes.
Ndërsa në 15:00, nisi procesioni i tretë i ditës, përmes terrenit të Kështjellës Windsor, deri në Kështjellën e Shën Gjergjit. Në po këtë vend, në orën 16:00 u zhvillua një shërbesë në përkujtim të Mbretëreshës.
Në fund, në orën 19:30, familja mbretërore do të kthehet në kishë në një ceremoni private.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




