Ngjarje

Formulari që bllokoi shqiptarët në doganat me Greqinë

Dhjetra shtetas shqiptarë dhe të huaj u bllokuan për orë me radhë në doganat e Kakavijës dhe të Kapshticës. Shkak është bërë mbyllja e sporteleve nga ana e palës greke. Zyrtarisht, autoritetet greke thanë se puna u ndal për shkak të rënies së sistemit të verifikimit anti-Covid19.

Sistemi në fjalë u prezantua një javë më parë në të gjitha pikat hyrëse të Greqisë. Bëhet fjalë për një aplikacion, përmes të cilit qytetarët shqiptarë dhe kushdo që kërkon të hyjë nga Shqipëria për në Greqi duhet të plotësojnë një formular me të dhënat shëndetësore, adresën ku qëndrojnë dhe arsyet e udhëtimit.

Gazeta “Si” mëson se personave të bllokuar në kufi, pala greke u ka thënë se ishte bllokuar ky sistem dhe nuk mund të verifikonin nëse ata e kishin plotësuar formularin 48 përpara apo jo. Por, shtetasit shqiptarë të bllokuar hedhin dyshime se nuk bëhej fjalë për një bllokim të këtij sistemi, por për zbatim të tij.

Burime të gazetës “Si” thonë se vendimi që kërkon plotësimin e këtij formulari ka hyrë në fuqi para një jave, por doganat greke në Kakavijë dhe Kapshticë, të vetmet pika hyrëse për udhëtarët nga Shqipëria për në Greqi kanë toleruar, duke lejuar që të kalojnë edhe persona që nuk e kanë plotësuar këtë kusht. Tolerimi duket se ka zgjatur deri këtë të mërkurë, kur doganierët grekë kanë kërkuar për të gjithë personat që janë përpjekur që të hyjnë në Greqi që të plotësojnë formularin dhe të rikthehen për të kaluar pas 48 orësh nga momenti i plotësimit.

Ky variant përforcohet edhe nga një deklaratë e Policisë Shqiptare. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit u kujton qytetarëve se duhet të plotësojnë formularin para se të udhëtojnë në drejtim të Kakavijës apo Kapshticës.

“Shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke, shtetasit grekë dhe minoritarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Greqisë duhet që brenda 48 orëve para udhëtimit të plotësojnë online formularin PFL (Passenger Locator Form) në adresën zyrtare në linkun: https://travel.gov.gr. Pas plotësimit të formularit online, secili qytetar do të marrë ne e-mail një konfirmim me një barcode, të cilin do ta paraqesë para autoriteteve në pikën hyrëse të kalimit në Greqi”, thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare.

Policia shqiptare thotë se në rastet e paraqitjes pa këtë barcode, nuk do të lejohet hyrja. Një pjesë e mirë e personave të bllokuar këtë të mërkurë në radhë në të dyja pikat doganore me Greqinë ishin pikërisht persona që nuk kishin plotësuar formularin dhe nuk kishin barcode-n në fjalë. Autoritetet greke kanë lejuar hyrjen e një pjese të tyre, që e kanë plotësuar në moment, ndërsa për disa të tjerë është kërkuar kthimi mbrapsht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë