Ana e errët

Forex në Shqipëri, po përdorin numra të huaj masivisht. Policia: Është fitim kolosal

Nga Gazeta Si - "Ne hymë në katin e parë të një pallati në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Dritaret ishin mbuluar me letër adeziv dhe nuk dukej asgjë brenda. Dyshohej se aty ushtrohej veprimtari e jashtëligjshme e brokerimit Forex", - e nis rrëfimin e tij oficeri i krimit ekonomiko-financiar për Gazetasi.al lidhur me aksionin më të fundit në fushën e call centerave.

Ajo që ndodhi më pas ishte prangosja e administratorit, një 26-vjeçar me inicialet L. L. Por të gjitha punonjëset që hynë në zyrë gjatë orëve të shërbimit policor rezultoi se bënë lojë fjalësh me policinë duke mos pranuar që punonin në këtë call center.

Ekspertiza provoi të kundërtën. Në sallën ku u numëruan 19 kompjuterë u zbuluan sipas policisë që tregon fashikullin për Gazetën Si një serial numrash të huaj, të dyshuar që janë sjellë për t’u përdorur për këtë aktivitet.

Ky fenomen i përdorimit të numrave të huaj francezë, belgë, italianë dhe gjermanë u konfirmua në këtë aksion prej nga ku paraprakisht i thuhet Gazetës Si se “bisedat me interes për hetimin tregojnë ushtrim të kësaj veprimtarie si dhe shkëmbim të krriptomonedhave”.

Duke qëndruar në derë të biznesit ku ushtrohej aktiviteti policia numëroi qytetaret që hynë brenda midis orës 14:30 deri në 15:00 që dyshohet se ishin të punësuara për turnin e dytë.

Njëra prej tyre deklaron se kishte ardhur për të filluar punë. “Kam ardhur të takoj A. dhe S”. Por kur më pas mbërritën dy shtetaset që përmenden, njëra prej tyre pranon që ka filluar punë në subjekt por ka refuzuar të shpjegojë se çfarë pune bën konkretisht.

“Rreth orës 16:00 u paraqitën edhe shtetaset XH. dhe E., kjo e fundit mbante dhe një mace në dorë. U pyetën pse kanë ardhur në subjekt dhe njëra prej tyre dëshmon që ka ardhur të takojë motrën, mbasi ishte bërë merak sepse motra nuk i përgjigjej në telefon. Ndërsa tjetra se kishte një dhuratë, donte t’i jepte macen një shoqes së saj aty”, – shkruan në procesverbal Policia e Tiranës.

Burimet i thonë Gazetasi.al se janë vërejtur biseda të pafundme në aplikacionet WhatsApp dhe Skype ku shtetasve të huaj të disa shteteve ju kërkohej të investonin në fushën e Forex.

“Shumica e blloqeve dhe bisedave janë të zhvilluara në gjuhën spanjolle, - deklaron burimi i policisë për Gazetasi.al dhe në disa prej këtyre blloqeve shpjegohet edhe mënyra e komunikimit me klientët për t’i joshur për investimin në bursë”, – thuhet më tej.

Kisha një kotele

Por të gjitha vajzat që u gjetën aty bëhet me dije se kanë dhënë dëshmi ku shmangen nga përgjegjësia. Më interesantja ndër to është dëshmia e të resë që mbante një mace në dorë.

“E kisha lënë me shoqen time të pinim kafe në lokal S., mbasi kam këtë kotelen e vogël dhe do t’ia jepja I. Ajo punon pranë lokalit  dhe meqë I. nuk vinte dot në lokal erdha unë tek puna e I. Kur u afrova te zyra bashkë me kotelen, dera ishte hapur. Shoqja ime punon në zyrë arkitekturore dhe ka filluar punë prej dy gushtit”, bëhet me dije se ka deklaruar e reja.

Bëj kafe

Në njërën nga bisedat e administruara nga policia del në pah edhe ankesa midis shefave që ankohen për vartësit. Sipas burimeve të Gazetasi.al një person me emrin Gerti kërkon llogari në grup: e kanë bërë si kafe, duan edhe rrogat, po prej teje do t’ia jap”. Më pas ky person shkruan: vetëm ti do marrësh rrogë dhe Martina një pjesë.

Policia tregon se fitimet në Forex janë disa milionëshe dhe se kur fusin klientë të mirë në grackë, punonjësit paguhet ne përqindje. Mund të themi se ka lagje në periferi të Tiranës ku janë ndërtuar vila nga ky aktivitet i paligjshëm, – hedh alibinë një burim i sigurt i Gazetës Si, sipas të cilit fitimi është përafërsisht si edhe trafiku i drogës.

“Ke dhe ti gjysmën e bonusit të asaj që bëre dje, - shkruhet në njërën nga këto komunikime që sipas verifikimeve të mëpasshme bëhet me dije se numri i përket një 30-vjeçari që u shpall në kërkim. Mes punonjëseve që është pyetur është edhe një vajzë e re që pranon se ishte në fazë trajnimi dhe se po mësonte spanjisht enkas për këtë aktivitet. Policia i thotë Gazetasi.al se brokerat janë të ndarë me departamente sipas gjuhëve, përkatësisht sipas vendeve ku edhe kryhen telefonatat nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë