Nga Gazeta ‘SI’ – Pas misionit të fundit në Shqipëri dhe shqetësimeve të ngritura për qeverinë, FMN ka publikuar një deklaratë kritike edhe për Bankën e Shqipërisë.
Fondi vlerëson punën e Bankës, por shpreh shqetësim për kreditë sovrane që po shpërndahen në bashkëpunim me qeverinë. Sipas FMN-së, linja e re e kredisë së subvencionuar nga banka qendrore, edhe pse vetëm 1 për qind e PBB-së, mund të çojë në përdorim joefikas të burimeve. Fondi sugjeron që objektivat e këtij programi të arrihen përmes masave fiskale të targetuara dhe reformave strukturore, në vend të shpërndarjes së drejtpërdrejtë të kredisë.
Fondi tërheq gjithashtu vëmendjen te krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke e konsideruar si një strukturë të ndërlikuar që ka nevojë për qeverisje të fortë. FMN paralajmëron se banka duhet të operojë vetëm për një periudhë të kufizuar dhe të fokusohet te sektorët ku tregu nuk funksionon siç duhet, në mënyrë që të mos pengojë investimet private dhe të shmangë rreziqet për financat publike dhe stabilitetin financiar.
Në lidhje me kursin e këmbimit, FMN mbështet idenë e një kursi të lirë dhe vë në dukje se forcimi i lekut lidhet kryesisht me faktorë të qëndrueshëm ekonomikë dhe jo me flukse spekulative. Banka e Shqipërisë duhet të lejojë më shumë lëvizje të lirë të kursit dhe të përdorë kryesisht normat e interesit për stabilitetin e çmimeve, ndërsa ndërhyrjet në tregun valutor duhet të bëhen vetëm në raste të rralla, kur goditjet nuk lidhen me faktorë themelorë. FMN paralajmëron se çdo shtim i rezervave valutore duhet të bëhet me kujdes, duke marrë parasysh kostot, rreziqet nga normat e interesit dhe mundësinë e humbjeve nga ndryshimet e kursit të këmbimit.
Fondi gjithashtu thekson nevojën për forcim të mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit institucional në kuadrin e luftës kundër pastrimit të parave.
Sipas organizatës, aktivizimi së fundi i masave të bazuara te profili i huamarrësit për kreditë e reja për banesa mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të shndërrohet në një instrument të përhershëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



