Treg

"Fly Ernest" largohet pa paguar gjobën. AAC: Po përpiqemi të zgjidhim situatën

Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri ka preferuar vetë të vërë në dijeni nga aeroporti qytetarët që preken drejtpërdrejtë nga falimentimi i kompanisë ajrore Fly Ernest.

Krislen Keri, drejtor i AAC

Keri ka akuzuar kompaninë ajrore për sjellje të pandershme ndaj pasagjerëve që kanë prerë bileta pranë saj sepse stafi i Fly Ernest është larguar nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për pasagjerët duke i lënë me orë të tëra në pritje e kaos pa asnjë informacion.

“Jemi angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e pasagjerëve. Jemi këtu, kompania në 72 orët e fundit ka operuar në mënyrë jo të ndershme me ata që kanë blerë një biletë. Nuk është përgjigjur as në telefon. Dje dhe sot ka qenë e mbyllur qendra, pasagjerët nuk kishin mundësi të merrnin informacion.

“Ka qenë një ditë intensive dhe pas një insistimi të vazhdueshëm me ambasadën italiane në Tiranë, kompania rreth orës 17:30 ka firmosur një kontratë vetëm për sot për tre avionë shtesë, dy aviounë u nisën në fluturim drejt Milanos e Veronës, një është në pritje. Kemi qenë në terren me stafin, pasi stafi i “Ernest”-it u largua nga aeroporti. Roli i Aviacionit Civil ka qenë i kufizuar vetëm te monitorimi i sjelljes së kompanisë.”- u shpreh drejtori KERI.

Ai bëri me dije se kompania ka detyrim që të vijojë fluturimet normalisht deri në datë 13 janar, ndërsa ata që kanë prerë biletat pas kësaj dite duhet të rimbursohen.

“Fly Ernest Airlines” i është pezulluar licenca nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil por në detyrim të pasagjerëve është lënë të operojë deri në datën 13 janar e nëse zbaton kriteret e vendosura nga autoriteti mund të revokohet vendimi për pezullimin e licensës. Keri zbuloi se kanë qenë mbi 30 komunikime zyrtare me kompaninë. Për problemet që kjo kompani ka pasur për sjellje jo korrekte me pasagjerët është gjobitur, por ende nuk është paguar gjoba, pasi ka konflikte administrative për gjobitjen e një kompanie të huaj.

Qytetarët që kanë prerë biletat duhet të kontaktojnë me kompaninë më pas të aplikojnë te faqja zyrtare e kompanisë për rimbursim. Sipas Kerit ka informacion se janë bërë disa rimbursime për biletat që janë prerë pas 13 janarit. “Më pas do të shohim cfarë do të ndodhë pas 13 janarit”- tha ai.

Pasagjerët e kompanisë kanë qenë ditën e sotme në kaos dhe nga tensioni I pritjes ka pasur situata që janë përplasur edhe me policinë.

“Ernest” u shfaq në treg në 2015 si një kompani , me investitorë italianë dhe suedezë dhe është me qendër në Milano. Kompania ka rreth 200 persona në personel.
Ajo operon me një flotë të vogël të avionëve Airbus A320 dhe A319 me destionacion Itali, Spanjë, Francë, Ukrainë dhe Shqipëri.

Kompania ajrore lidh kryeqytetin shqiptar, Tiranën me destinacionet: Milano Malpensa, Venecia, Bolonja, Xhenova, Milan Bergamo, Verona, Pisa dhe Napoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë