Njerez

Futbollistët ndryshe/ Historia e Julian Çelës dhe shpërthimi që i ndryshoi jetën

Nga Edmond Prifti- Mbyllni sytë e për një çast mendoni se, nuk mund të vraponi, pasi nuk mundeni. Doni me gjithë shpirt të ecni si gjithë të tjerët, e nuk mundeni! Në kohën kur ishim të vegjël, “Unë kapërceja pellgjet”, ishte një nga librat më të lexuar, ku rrëfehet historia e një djaloshi me poliomielit, që humbet këmbët e tij. E ishte pikërisht kali i tij, ajo kafshë e cila i dhuron djaloshit jo veçse dashurinë pa kufij, por edhe “e bën” djaloshin, me këmbë. Pothuajse e ngjashme, me një dashuri të falur nga familja e bashkëshortet e tyre, e po ashtu Zoti, të gjithë ata djem që takuam me aftësi të kufizuara, kanë një përkujdesje. Historia e tyre flet për kurajë e dhimbje, por edhe vështirësi e përballje me frikën e së nesërmes, të empatizmit njerëzor, por edhe të një vëmendje më të madhe, ndaj tyre.

Gjatë ndeshjes së futbollit në kompleksin e Ali Demit

Një e tillë është edhe ajo e djaloshit Julian Çela, i cili në 26 shkurt të vitit 2014, ndërsa ishte duke zbritur shkallet së bashku me shefin e tij, Armand Çeka, shpërthen papritmas një bombë e telekomanduar. Po ashtu Bilbili, i cili humbi njërën dorë në vitin e mbrapshtë 1997, apo Ilirian Kikija, nga një aksident hekurudhor dhe Klajdit. Kjo është historia e katër prej tyre, ashtu si edhe e shumë të tjerëve me aftësi të kufizuara si ata, që mbart me vete dëshirën për të jetuar, por edhe shumë sfida përpara. Një prej tyre është edhe me shpresën e krijimit të një ekipi kombëtar me persona me aftësi të kufizuar (të amputuar), ndërsa Juli është jo veçse shpirti i këtij ekipi, por edhe ai që i jep kurajë dhe zemër kësaj ëndrre për të vrapuar në fushat e blerta. E një miqësore e tillë futbolli me ekipin kosovar, arritën ta zhvillonin më 26 tetor 2019, por Juliani dhe çunat e ekipit amator shqiptar, nuk heqin dorë lehtë, pasi ata tentojnë ta ngrenë në rangun e një ekipi kombëtar.

Bilbili, Iliriani dhe Juliani janë disa prej atyre personave që kanë nevojë që shteti t'i ndihmojë që të ndjekin ëndrrën e tyre, duke i pajisur me bluza sportive, me trajnime të vazhdueshme, për t'u kthyer më pas në një ekip kombëtar.

Një ekip kombëtar, ëndrra e të gjithëve ne!
I gjetëm të katërt, Julin, Ilirin, Bilbilin dhe Klajdin, të mbledhur në një nga fushat e sportit në kompleksin e Ali Demit, duke luajtur futboll. Të gjithë me proteza, për të cilat Juli thotë se, janë tejet të shtrenjta (nga një bisedë me të jashtë kamerës, ai thotë se dy protezat e tij për të dy këmbët kushtojnë rreth 30 mijë euro, disa fish më shumë, se një “karrocë-burg” me rrota). Ata vijnë herë pas here aty, e madje i luten Julit që t’i organizojë më shpesh. Fusha për ta, sot e në vijim në oraret e drekës nga menaxherët e kompleksit, ishte pa pagesë. Përgjatë intervistës së “Gazetës Si” me ta, mësojmë se ata të mbledhur me dëshirën për të luajtur futboll, por edhe për të krijuar një ekip kombëtar.

Sipas Julianit, “jemi mbledhur të gjithë, personat me aftësi ndryshe apo të amputuar, që të luajmë futboll, ndonëse sot kemi mungesa… Edhe pse na ka ndryshuar jeta, duam ta jetojmë.

Kemi mbledhur një ekip dhe duam që të bëjmë një ekip kombëtar. Kemi nevojë për ndihmë, e si projekt nuk kemi mbështetje e financa, as së paku me fanella, fushë të sigurt apo edhe shpenzime të tjera”. Kur e pyet Julin se sa veta bëheni në këtë ekip të personave me aftësi të kufizuar, thotë që janë rreth 8-9 vetë, të gjithë me aftësi të kufizuar. “Në radhë të parë, fitorja jonë është të dalim nga shtëpia dhe të bëhemi pjesë e denjë e kësaj shoqërie”. Kur e pyet se si jeni njohur, thotë se, “ishte një amerikan që kisha vënë protezat në Dallas të Teksasit. Vëllai im, po ashtu kishte luajtur futboll në ekipin profesionist të Gramshit… Bëmë një takim me të dhe me kryetarin e Shoqatës me Aftësi Ndryshe, duke më dhënë kontaktet me personat njësoj si unë… E nisëm një ndeshje futbolli në Tiranë dhe përfunduam në Kosovë, e pak nga pak uroj që ekipi tonë të krijohet”. Si thirrje, Juli në emër të të gjithëve “që patën fatin e tij”, u drejtohet ish-futbollistëve të kombëtares që ata dikur si tifozë të zjarrtë, por edhe sot, kanë bërë tifo, duke thënë se: “Unë e di futbollin, por nuk jam trajner. I bëj thirrje ish-futbollistëve të kombëtares, që dikur kemi bërë tifo për ta dhe zemra na është çuar peshë kur kemi fituar, si Lorik Cana apo Redi Jupi, që të na ndihmojnë, për ta ngritur si ekip kombëtar. Ne kemi nevojë, pasi çdo gjë është vetëfinancuar…”.

Në fushën e Ali Demit, aty ku futbollistët Iliri dhe Juliani luajnë shpesh here pa pagesë


Juli: Shpërthimi që më ndryshoi jetën në çast

“Ishte një ditë që unë nuk e dija se atë ditë do kthehesha ndryshe, e se jeta ime do ndryshonte njëherë e përgjithmonë”, - thotë Juliani, për “Gazetën Si”, ndërsa vijon bashkëbisedimin se, “disa persona kishin vendosur një eksploziv në zyrën e shefit tim, duke pritur që ai të vinte”.

“Unë u gjenda bashkë me të dhe ata nuk e dinin që unë isha aty. Shpërthimi ishte tejet i fuqishëm e unë kam rënë në tokë, duke mos e kuptuar se çfarë ndodhi. Thirra për ndihmë, por ndërkohë për gati 5 minuta askush nuk po vinte, pasi kishin frikë mos ndodhte një shpërthim i dytë. Ndodhi që po shihja trupin tim, që lavdi Zotit jam mirë, por kur pashë këmbët e mia…ato kishin ikur njëherë e përgjithmonë”. “Isha duke qarë - O zot mos më lejo të iki, pa parë familjen time! Djali im ishte 3-muajsh ndërsa bashkëshorten e kisha lënë në gjumë, e askënd prej tyre nuk kisha përqafuar atë mëngjes”, - vijon rrëfimin Juliani. Dikush sipas Julianit, erdhi dhe e futi në një makinë, atë dhe shefin e tij… “Një zë i brendshëm brenda vetes time thoshte mbaju se, Unë jam me ty, por ndërkohë jeta ime po më kalonte para syve… Isha i vetëdijshëm deri në spital. Jam lutur për ata persona, që fali, pasi ata nuk e kishin me mua, e po ashtu për shefin tim, - që ta kuptonte se ato që kishte bërë të mos i bënte më”, - ka thënë Julian Çela për “Gazetën Si”.

Pas lojës Juliani, Iliri dhe Mateo

Mjeket ishin duke më dhënë kurajë. Ka qenë një operacion i gjatë dhe pas 6-7 orësh kur ai u zgjua, dëgjoi befas mjekët që thoshin se ata kishin bërë punën e tyre me Julin, por atë e mbajti dikush, aty lart. “Po prisja të shihja gruan dhe familjarët e mi, ndërsa e vetmja dramë për mua ishte që…mjekët më mbajtën me shpresa… I ra barra një familjari tonë që ma tha, ndërsa unë i kërkoja këmbët e mia. Ku janë këmbët e mia? Sikur më kishin vrarë për herë të dytë”, - ka rrëfyer Julian Çela për “Gazetën Si”, i amputuar në të dyja këmbët, atë ditë shkurti të vitit 2014.

Më tej, ai rrëfen se pasi kaloi një kohë në spital “ku njerëzit që vinin, më jepnin shpresë, e po ashtu videot që shihja çdo ditë, ku njerëzit ecnin dhe e shijonin jetën çdo ditë, ndonëse me proteza…”. “Kjo më dha një shpresë të vakët, - por e vetmja gjë që më dha kurajë pas 6-7 muajsh që isha në karrocë, e që ishte realisht si një burg për mua…- mendoja kush do kujdeset për djalin e vogël, Joelin, bashkëshorten Erjolën, e veten, në atë gjendje…Të dy ishim asokohe, pa punë. Zoti e hapi mundësinë të shkonim në Amerikë dhe të vija protezat. Doktori atje më tha që jeta jote ka ndryshuar, por do ta jetosh në këtë stil, edhe pse gjërat në fillim ishin dekurajuese, e më dukej sikur nuk do shkonte asgjë mirë”. “Aty”, sipas Julianit, “doktori mori një pikturë nga zyra, ku ishte Pjetri duke ecur mbi ujë, e duke u zhytur, ndërsa Jezusi i thoshte, pse shqetësohesh? Unë jam me ty! Kështu edhe unë. Mora protezat, e befas u rrëzova. Doktori më thotë, që të mos fokusohesha tek gjërat përreth. Fokusohu tek përfundimi! Ti do të ecësh…”, - më tha ai. Julian Çela, aktualisht i punësuar si jurist pranë kompanisë “Albtelecom”, po ashtu, gjatë intervistës tonë thotë se, “sot kam një punë, e kam njohur njerëz me të njëjtin problem, ashtu si edhe unë. Atyre u jap shpresë, se ne biem dhe ngrihemi bashkë. Kemi një forcë, që quhet familje! Edhe shoqëria, kur sheh njerëz të tillë na inkurajon, duke na pyetur si po ja del mbanë. Mesazhi ynë, është që duhet të bëhet më shumë për këta persona, pasi duket sikur atyre u ka ndryshuar jeta, por ata duhet ta jetojnë si gjithë të tjerët. E vetmja pengesë është që shteti duhet t’i integrojë ata, pasi shumë kanë bërë shkolla. Ky lloj projekti shtetëror ‘jepi një ndihmë sociale’ nuk vlen…pasi, ata kanë nevoja pafund, që nga karriget me rrota, e të mos them për protezat tejet të shtrenjta”.

Një gol që nuk u shënua

Iliri: Jeta ime, Mateo!

Ai shpesh shoqërohet nga çuni i tij shtatë vjeç, Mateo. Madje edhe faqja e tij e Facebook-ut, mban emrin e të birit, Mateo, që Ilir Kikija, e merr ngaherë me vete ngado që shkon. Siç edhe rrëfen Iliri para kamerës së “Gazetës Si”, ndonëse e ka të vështirë të flasë në prani të çunit thotë: “Nuk dua të mërzitet ai…Ai është jeta ime”.

E teksa Mateo vjen e na bashkohet, pasi e thërret Iliri, ky i fundit tashmë i rritur thotë se, babait ja preu këmbën treni…ndërsa Iliri përpiqet ta fshehë pakëz historinë e tij, para syve të Mateos. “Çfarë e ke lalin?” – e pyet Iliri – “Jetë”, i përgjigjet Mateo. E ndërsa i tërheq vëmendjen Iliri që të shikojë nga kamera e pyet sërish: “Kush është lali për ty?”. “Bota ime”, ja kthen Mateo 7-vjeçar. Më pas Iliri e puth fort në ballë dhe i thotë që “është gjëja më e shtrenjtë”. Për ta ‘ç’tensionuar pakëz situatën’, e pyesim Ilirianin për tattoo-në e tij në parakrahun e majtë, ku dallohet qartazi flamuri shqiptar, e na thotë se, “e kam bërë në Itali kur kam qenë emigrant, në moshë të re”. “Çfarë do bëhesh?” - e pyesim Mateon. “Futbollist?”, ndërsa ai pohon me kokë. Si babi, e pyesim, ndërsa Mateo, ul kokën. Kur e pyesim se çfarë ka ndodhur dhe si ndiheni në këto kushte, thotë që e kam prerë këmbën kur isha 26 vjeç. “Nuk më dalin fjalët përballë tij”. – thotë Iliri, ndërsa Mateo përgjigjet se “e di unë. Ia ka prerë këmbën treni”. Iliri e puth në ballë djalin e tij, ndërsa me njërën dorë e përqafon fort atë.


Të dhëna

Nga Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2016 -2020, sipas Konventës së OKB-së, “persona me aftësi të kufizuara janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose shqisore, të cilat në ndërveprim me pengesa të ndryshme, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët”. Sipas Programit Shqiptar të Veprimit ndaj Minave, AMAP, 210 aksidente kanë ndodhur në verilindje të Shqipërisë, nga të cilat 238 persona janë plagosur dhe 34 të tjerë, kanë humbur jetën. Gjithashtu, 686 persona janë plagosur nga municionet e braktisura (AXO) në të gjithë Shqipërinë nga 1995 deri në fund të vitit 2009. Censusi i vitit 2011 në Shqipëri, nxori në pah se 6.2% e popullsisë mbi moshën 15 vjeç (2.084.137 persona) vuan nga një formë e aftësisë së kufizuar. Sipas statistikave zyrtare, nga skema e mbrojtjes sociale përfitojnë mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe invalidë pune. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se në nivel botëror, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë 15% të popullsisë dhe na kujton se aftësia e kufizuar është pjesë e gjendjes njerëzore, duke qenë se pothuajse çdokush nga ne do të vuajë përkohësisht apo përgjithmonë, nga një e tillë në një pikë të caktuar të jetës…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë