Interviste

Flet Agim Nesho- Si t’i lexojnë shqiptarët zgjedhjet në SHBA

Bledar Hoti-Zgjedhjet në Amerikë treguan se SHBA do të jetë me polarizuar nga sa ç’ishte më parë dhe se tashmë Partia Republikane do të identifikohet si një parti e presidentit Trump. Ky është mendimi i diplomatit të karrierës, Agim Nesho në intervistën e dhënë për Gazetën SI.

Ish-ambasadori më tej shprehet se në fushatë u angazhuan edhe Trump dhe ish-presidenti Obama, çka solli dhe një polarizim, ndërsa votuesit gri nuk u ndikuan nga këto votime të nëntorit.

Diplomati gjithashtu ngre shqetësimin në lidhje me marrëdhëniet që ka Shqipëria me SHBA-të, që sipas tij nuk janë në nivelin e duhur dhe për këtë fajin ia hedh qeverisë Rama.

Z. Ambasador rezultatet e zgjedhjeve të mes mandatit presidencial në SHBA treguan për një ndarje të qartë të votuesve amerikanë. Demokratët morën kontrollin e Dhomës e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët kanë kontrollin e Senatit. Cili është vlerësimi juaj për këto zgjedhje?

Zgjedhjet e mes-mandatit presidencial janë ato të cilat sjellin ekuilibrin funksional të demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si të tilla njihen, prandaj gjithmonë quhen zgjedhjet e “kontrollit dhe balancës”. Nëse pushteti presidencial kontrollon edhe Kongresin, atëherë sistemi vetë-rregullohet në favor të shpërndarjes së pushtetit në drejtim të partisë tjetër. Kështu ka ndodhur me Klinton, Obamën dhe shumë presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një nga fitoret e demokracisë amerikane.

Në lidhje me zgjedhjet e tanishme, demokratët morën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit, ndërsa republikanët jo vetëm mbajtën, por rritën numrin e anëtarëve në Senat. Kjo ka të bëjë me vazhdimësinë e pushtetit dhe të politikave të ushtruara nga presidenti Trump. Në një sens këto zgjedhje ishin përkrahje për rezultatet e politikave ekonomike dhe rritjes së konsiderueshme të ekonomisë amerikane, rritje që populli amerikan i shikon si një kontribut të veçantë të presidentit Trump, por nga ana tjetër tregojnë edhe kundërshtinë që ka elektorati amerikan ndaj retorikës agresive që ndonjë rast përdor presidenti Trump.

Zgjedhjet evidentuan disa çështje kryesore. Së pari, që Partia Demokratike ka elektoratin më të madh, ose e thënë ndryshe votën popullore, që jo gjithmonë mund të përkthehet me marrjen e pushtetit presidencial në Amerikë si rezultat i sistemit zgjedhor dhe kolegjeve të tij elektorale.

Së dyti, këto zgjedhje treguan një interes të shtuar të popullit amerikan sidomos të zonave periferike urbane. Pjesëmarrja ishte aq masive, e papërsëritur që nga zgjedhjet e 1966. Kjo tregon që populli jo vetëm merr pjesë aktive në ushtrimin e demokracisë, por mbi të gjitha përpiqet që të bëjë balancat e nevojshme në ushtrimin e pushteteve në Amerikë.

Së treti, ka një zgjedhje të grave përfaqësuese në Kongresin Amerikan që arrin në shifrën e 101, si dhe përzgjedhje të përfaqësuesve nga pakicat minoritare (aktivizim të madh në Partinë Demokratike të afro-amerikanëve dhe të latino-amerikanëve) dhe grupeve të minorancave sociale.

A mendoni se do të ketë një thellim të përplasjeve në SHBA mes demokratëve dhe republikanëve, ku presidenti apo administrata amerikane mund të hetohen nga demokratët që zotërojnë Dhomën e Përfaqësuesve për financat e familjes së Presidentit, apo për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje?

Këto zgjedhje treguan që Amerika ishte e polarizuar dhe u polarizua më shumë. Për arsye se edhe republikanët edhe demokratët, si presidenti Trump edhe ish- presidenti Obama bënë fushatë për të sensibilizuar përkrahësit e të dy partive. Nuk u përpoqën që të bindnin pjesën gri, ose të pavarur të elektoratit. Si e tillë kjo fushatë tregoi që sensibilizoi mbështetësit e të dy palëve, duke mos pasur një mesazh unifikimi ose të qendrës. Prandaj Amerika doli nga zgjedhjet edhe më e polarizuar sesa ishte më parë.

Ish-ambasadori Agim Nesho

Por, mënyra e bashkëpunimit midis partive politike për interesat e vendit është një mënyrë ndryshe nga eksperiencat evropiane, ose të demokracive të reja. Kur është nevoja ata bashkëpunojnë, siç është deklaruar nga liderja e Partisë Demokratike, Nancy Pelosi, që për çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me prosperitetin e qytetarit dhe të vendit siç është çështja e sigurimeve shëndetësore, infrastruktura por edhe imigracionit dhe ndaljes së valës së refugjatëve për të hyrë në shtetet e bashkuara të Amerikës,  si  fusha që do të bashkëpunojnë. Dhe ky bashkëpunimi i cili do të gjenerojë politika do të jetë çelësi i suksesit.

Në qoftë se  demokratët do të përpiqen të pengojë presidentin Trump në zbatimin e politikave të tij, nëpërmjet krijimit të komisioneve të njëpasnjëshme hetimore, atëherë tensionet do të rriten dhe nuk do të prodhohen politika, por do të fokusohen në marrjen e pushtetit në vitin 2020.

A do ta kufizojë Trump dhe administratën amerikane ky rezultat i zgjedhjeve sa i përket politikës së jashtme të SHBA? A mund të ketë një shmangie të vëmendjes së SHBA-ve ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, si rezultat i përplasjeve apo luftës të brendshme politike që priten, kjo duke përfshirë edhe Shqipërinë, e cila aktualisht është pa një ambasador të SHBA-ve?

Pushteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pushtet presidencial dhe Presidenti amerikan ka të gjitha hapësirat e mundshme për të realizuar politikën e tij të jashtme. Presidenti Trump ka shumicën e Senatit kështu që Kongresi nuk mund të pengojë politikat e tij të jashtme dhe përfaqësuesit e lartë të administratës që duhet të konfirmohen në Senat. Dhoma e Ulët e përfaqësuesve në Kongres mund të influencojë në politikat fiskale dhe ekonomike, por jo në çështjet e politikës së jashtme.

Në lidhje me politikën e jashtme, Presidenti amerikan është i lirë të veprojë, duke dhënë llogari para Senatit amerikan dhe duke respektuar atë që përbën doktrinën e administratës së tij. 

Cili është modeli apo mesazhi i këtyre zgjedhjeve amerikane që mund të jepet për votuesit shqiptarë? Edhe pse nuk mund të hiqet ndonjë paralele, aktualisht edhe në vendin tonë kemi një konflikt politik mes mazhorancës dhe opozitës, apo dhe mes institucioneve shqiptare Presidentit dhe Qeverisë?

 Mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokracia më perfekte sot në Botë, me sistemin e saj të kontrollit dhe balancës që nuk lejon asnjë pushtet autoritar, cilido qoftë ai, që ne e shikojmë sot në një pjesë të Europës Lindore dhe në botë që përpiqen të shtrijnë pushtetin e tyre në mënyrë të pakufizuar, duke përfshirë edhe mjete demokratike për ta justifikuar një gjë të tillë. Amerika vepron ndryshe. Ka një ndërgjegjësim jo vetëm institucional, por edhe të popullit të saj për të ruajtur këtë balancë. Kjo është e para.

Mesazhi i dytë është që këto zgjedhje nxorën në pah një element shumë të rëndësishëm që Partia Republikane është bërë tashmë partia e presidentit Trump. Domethënë, njeriu që dominon sot Partinë Republikane është presidenti i Amerikës. Dhe si e tillë kanë fituar ato kandidatë që ai ka përkrahur më tepër.

Ne duhet të kemi parasysh se një person i tillë dhe zgjedhjet në nëntor të këtij viti tregojnë që ecuria e presidencës së tij do të jetë e suksesshme njësoj si presidentët  e tjerë paraardhës Bill Klinton apo Barak Obama. Të dy presidentëve paraardhës ju ka ndodhur që të humbin zgjedhjet në mes-mandat, të jenë pakicë në Kongres, më vonë në Senat, por kanë mbaruar mandatin e tyre presidencial pas 8 viteve.

Në një rast të tillë dhe duke qenë se ekonomia amerikane është fuqizuar shumë, ashtu si edhe mbrojtja dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rritur tregon që ky President i ka të gjitha mundësitë për të kaluar në një mandat të dytë.

Në këtë kuptim mesazhi qëndron në zgjidhjen e paradoksit që ekziston midis Shqipërisë që e ka aleatin më të rëndësishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhënieve inekzistente të qeverisë shqiptare me administratën amerikane.

Ky nonsens që partneri ynë kryesor strategjik në momente të tilla delikate për të ardhmen e Shqipërisë, kombit shqiptar, por edhe të ecurisë në shekullin e 21-të përbën një paradoks që shqiptarët duhet ta kenë parasysh për ta ndryshuar. Ne nuk mund të presim më edhe 6 vite të tjera për t’i bërë funksionale, siç ishin, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë