Lojëra me Dore

Flamurtari kampion, vjen titulli i 24-t në basketboll femrash

Gazeta Si - Flamurtari në basketboll për femra është shpallur kampion i Shqipërisë. Faza e ‘play off’-it është mbyllur shpejt nga vlonjatet, të cilat e kanë mundur Partizanin në të tria ndeshjet e para.

Dominimi i vajzave të drejtuara nga trajnerja Elona Hasanaj ka qenë absolut. Ndeshjen e tretë, të zhvilluar në Vlorë, Flamurtari e fitoi thellë, 94-58, duke siguruar titullin para tifozerisë vlonjate.

Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, dorëzon trofeun e kampionit në Vlorë. Gazeta Si, 16 maj 2022

Vlonjatet mbrojnë kështu trofeun e kampionit. I gjithë sezoni ka folur për skuadrën vlonjate, që ka bërë diferencën me kundërshtarët. Edhe Partizani, me të cilin Flamurtari u ndesh në ‘play off’, nuk pati forcën t’i përgjigjet nivelit të këtij ekipi.

Vlonjatët kanë në gjirin e tyre katër basketbolliste të huaja, të cilat e kanë ndihmuar këtë skuadër për të qenë më kompetitive.

Pas viteve 2000 është pikërisht Flamurtari që ka mbizotëruar në skenën e basketbollit të femrave në Shqipëri. Titulli i fundit është i 24-ti për vajzat vlonjate.

Trofeun e kampionit e ka dorëzuar në Vlorë presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë