Ngjarje

Flak punonjëset shtatzëna nga puna, paditet Amazon

Një grua amerikane ka paditur Amazon, duke pretenduar se është shkarkuar vetëm sepse ishte shtatzënë, ndërsa ka zgjuar shumë debate rreth kushteve të punës në depot ku ajo punonte. Sipas faqes së lajmeve të teknologjisë CNET, kompania e shitjeve online ka qenë e përfshirë në shtatë raste të ngjashme ligjore të paraqitura nga punonjëset shtatzëna të magazinave gjatë tetë viteve të fundit.

Në përgjigje, Amazon ka thënë se nuk ka shkarkuar kurrë askënd sepse ka qenë shtatzënë. "Ne jemi një punëdhënës i mundësive të barabarta. Ne punojmë me punonjësit tanë për të akomoduar nevojat e tyre mjekësore, duke përfshirë nevojat lidhur me shtatzëninë. Ne gjithashtu mbështesim prindërit e rinj duke ofruar përfitime të ndryshme të lehonisë dhe prindërimi", deklaroi Amazon për BBC News.

Akuza e fundit ka ardhur nga Beverly Rosales, e cila ka punuar për Amazon dhe do të dëgjohet në Gjykatën e Kalifornisë në qershor. Nuk është hera e parë që ngrihen zëra pakënaqësie nga punonjëset e Amazon, të cilat punojnë në përgatitjen e porosive që vijnë nga interneti. Amazon ka më shumë se 613,000 punonjës, dhe rreth 100,000 punëtorë të përkohshëm të punësuar gjatë periudhës së Krishtlindjes.

Ndërkohë Bashkimi Sindikal GMB, i cili përfaqëson punonjës nga shumë sektorë të punësimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë për BBC se kishte dëgjuar të njëjtat ankesa nga një grua tjetër që kërkoi të mbetet anonim.

"Sapo morën vesh që isha shtatzënë, drejtori më kërkoi të transferohesha në një departament tjetër, ku puna ishtë më e rëndë, që përfshinte ngritjen e peshave të rënda dhe transferimin e karrocave me pajisje", ka thënë gruaja. Në përgjigje, Amazon tha se nuk mund të komentonte mbi rastet "anekdotike" dhe se nuk kishte pasur "ndonjë dëshmi që do të nnxiste nisjen e një hetimi". Por shtoi: "Sapo një punonjëse na informon se është shtatzënë, ne punojmë ngushtë me të dhe kryejmë një vlerësim të plotë të rrezikut dhe, nëse është e nevojshme, konsultohemi me mjekun".

"Nëse shëndeti i punonjësit ose ai i fëmijës së palindur është në rrezik për shkak të punës që ato janë të punësuar për të bërë në Amazon, do të ndryshojmë kushtet e punonjësit për të lehtësuar ndonjë rrezik, ose do t'i gjejmë punonjësit një pozicion alternativ të përshtatshëm. Si një alternativë e fundit mbetet vendosja e punonjëses në pushim mjekësor të plotë", tha Amazon.

Një zëdhënës i GMB tha për BBC: "Ne me të vërtetë shpresonim se Amazon kishte mësuar nga raporti që publikuam në 2014. Por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur". "Gratë shtatzëna na thonë se janë të detyruara të qëndrojnë për 10 orë në këmbë. Kompanitë si Amazon duhet ta trajtojnë stafin me respekt, jo duke i trajtuar ata si robotë", tha GMB.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë