Euro 2020

Fjala për Spanjën e pathyeshme, Suedia nuk e mund që prej 2006-ës

Ndeshje me një parashikim të lehtë në letër kjo e sotmja mes Spanjës dhe Suedisë, që ndeshen sot në mbrëmje në Grupin E. Të dy trajnerët kanë pasur probleme me Covidin (Buskets, Kulusevski dhe Svanberg), por vlerat në fushë nuk ndryshojnë.

Bëhet fjalë për takimin e katërt mes Spanjës dhe Suedisë në një nga turnetë kryesorë ndërkombëtarë (Botëror dhe Europian), pas Botërorit 1950 (3-1 për Suedinë), Botërorit 1978 (1-0 për Spanjën) dhe Euro 2008 (2-1 për Spanjën). Spanja merr pjesë për herë të 11-të në Europian, ku ka fituar 3 herë trofeun (1964, 2008, 2012), në 2 nga 3 të fundit. Vetëm Gjermania e ka fituar trofeun kaq herë sa Spanja.

Nga një ndeshje mes Spanjës dhe Suedisë. Gazeta Si, 14 qershor 2021

Suedia merr pjesë për herë të 7-të në Europian. Në fakt, që nga pjesëmarrja e parë si vend pritës në Euro 1992, – që koincidon me përformancën më të mirë në këtë turne (gjysmëfinaliste) – Suedia është kualifikuar në të gjitha edicionet e tjera, përveç 1996.

Suedia e ka mbajtur portën të paprekur vetëm një herë në 12 ndeshjet e fundit me Spanjën, në kualifikueset e Europianit në tetor të 2006 (2-0, gola të Johan Elmander dhe Markus Albak). Ajo ka qenë edhe fitorja e fundit e Suedisë kundër spnajollëve. Spanja ka humbur vetëm 2 nga 16 ndeshjet e fundit në Europian (kundër Kroacisë dhe Italisë në qershor 2016).

Spanja ka fituar vetëm një nga 5 ndeshjet e fundit debutuese në një nga kompeticionet kryesore ndërkombëtare (1-0 kundër Çekisë, Euro 2016). Gerard Moreno është lojtari me më shumë ndeshje në fazën kualifikuese të Euro 2020 te Spanja (6 ndeshje, 3 gola dhe 3 asiste. Ai ka shënuar 23 gola sezonin e fundit në Spanjë, ndaj dhe është lojtari për t’u ndjekur.

Po sot do të luhet edhe ndeshja Skoci-Çeki dhe Poloni-Sllovaki, por kuptohet që e gjithë vëmendja është te “Furitë e kuqe”, ku të besuarit e trajnerit Luis Enrike pritet të mos zhgënjejnë. Këtë herë Spanja vjen pa asnjë lojtar të Real Madridit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë