Ngjarje

Fitër Bajrami, a iu bashkuan besimtarët “revolucionit” të politikës?

Orët e para të mëngjesit të kësaj të diele i gjetën besimtarët myslimanë kryesisht nëpër xhamitë e vendit dhe jo në sheshe, pasi që 10 ditë më herët Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) kishte shpërndarë një protokoll se si do të festohej ky Fitër Bajram. Pas 1 muaji sakrifice dhe agjërimi, mijëra besimtarë kanë mbushur vendet e kultit dhe mjediset përreth tyre, ndryshe nga vitet e tjera, kur falja është bërë në Bulevard (në Tiranë) apo në rrugë dhe sheshe (në qytetet e tjera të vendit). Megjithëse ishte bërë thirrje një ditë më parë për distancim fizik gjatë Faljes së Namazit, pakkush ka mundur ta zbatojë këtë distancim. Mënyra se si do ta falnin sot Namazin besimtarët myslimanë u kthye në një çështje politike një ditë më parë, kur kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po po nxiste “komunitetin mysliman t’i bashkohet Revolucionit të tyre imagjinar për Bajram”. Më herët dje, eksponentë të opozitës u kishin bërë thirrje besimtarëve myslimanë që të mos u bindeshin urdhërave të Ramës, por të festonin Bajramin si çdo vit tjetër, pavarësisht situatës nga pandemia.

Dhe pikërisht për shkak të pandemisë, sot ka pasur një mënyrë ndryshe të faljes së mëngjesit, e cila u rrek t’u nënshtrohej rregullave të distancimit fizik. Mes traditës së besimit dhe shëndetit, Komuniteti Mysliman duket se ka zgjedhur këtë të fundit, ashtu siç edhe kishin kërkuar autoritetet shtetërore një ditë më parë. “Duke ditur që ky vit ishte ndryshe nga vitet e tjera, u kemi dërguar para 10 ditësh një protokoll që të mos bëhemi shkak për të përhapur këtë pandemi. Ky ka qenë qëllimi i vetëm. Jemi mësuar që ta falim në sheshe, por shëndeti është më i rëndësishëm se të gjitha”, u shpreh kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.

https://www.facebook.com/komunitetimysliman/videos/264671384891557

"Megjithëse ky Ramazan u përjetua ndryshe, sidomos në aspektin social jemi të gëzuar që arritëm ta mbyllim agjërimin me sukses. Ky Bajram vjen me një situatë të përmirësuar, falenderojmë mjekët që punuan me përkushtim. Besimtarët myslimanë shijojnë një jetë të disiplinuar gjatë këtij muaji, si në rrafshin mysliman edhe atë shpirtëror. Vetë urimi Gëzuar Bajramin është urimi më i mirë, që buron nga thellësia e shpirtit. Koha që të reflektojmë fortë për vlerat e familjes dhe ta ruajmë atë nga antivlerat. I lutem Zotit të na falë dhe mëshirojë, të na ruaj nga fatkeqësitë, sëmundjet dhe pandemitë që na kanë kapluar gjithë globit. Allahu të na ruaj nga çdo sëmundje që është e rëndë dha nga çdo gjë që nuk e mbajmë dot në supet tona”, tha Spahiu në mesazhin e tij të urimit nga Xhamia e Kokonozit, në Tiranë. Sipas tij, kjo ditë ishte e privuar nga adhurimet e përbashkëta, një sprovë nga ana e Zotit. “I lutem Zotit të mos na sprovojë në gjëra të tilla duke shpresuar që ndoshta jemi kalitur dhe kemi nxjerrë mësime. InshAllah kjo festë lëshon mirësinë. Ramazani ndryshon sjelljen e jetës së njeriut që ka ndërgjegjësuar besimtarin dhe e ka bërë më të pastër. Ne nuk jemi çliruar nga masat e pandemisë, u kërkojmë besimtarëve që të na mirëkuptojnë, t'i lutemi Zotit të çlirohemi plotësisht”, u shpreh kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në Tiranë, duket se urdhëresa është zbatuar. Por nëpër Myftinitë e rretheve, pak ose aspak. Imponuar ndoshta edhe nga hapësirat e kufizuara, besimtarët janë dyndur në sheshe dhe rrugë.

Pas agjërimit të Ramazanit, në Elbasan Namazi është falur në xhami dhe jo në bulevard, si pasojë e Covid-19. Por Xhamia “Pasha” në qendër të Elbasanit ka shtruar tapetë jashtë perimetrit të saj për të bërë të mundur distancimin social, edhe pse kjo u duk që ishte e pamundur.

Në Durrës, falja e Fitër Bajramit u organizua në sheshin përpara xhamisë së madhe në qendër të qytetit, për shkak të numrit të madh të besimtarëve.

Në Berat, besimtarët myslimanë u mblodhën në Xhaminë e Plumbit, në qendër të qytetit. Disa prej besimtarëve kanë qëndruar brenda xhamisë, por disa të tjerë jashtë saj, duke mos arritur të ruajnë distancën.

Falja e Namazit në Berat

Në Korçë, besimtarët e kanë falur namazin në ambientet e brendshme dhe të jashtme të xhamisë së qytetit “Iliaz Bej Mirahori”.

Falja e Namazit në Korçë

Edhe në dy xhamitë e Kukësit thuajse ka qenë e pamundur të mbahet distancimi fizik, për shkak të mbipopullimit nga besimtarët. Myftiu i Kukësit Islam Hoxha tha se ky muaj i begatë ishte ndryshe nga të tjerët për shkak të pandemisë, por shërbeu për t'u afruar më shumë më njeri-tjetrin dhe besimin për më shumë mirësi.
Në Fier, besimtarët kanë qenë të shumtë. Që në orët e para të mëngjesit, ata janë mbledhur për t’u falur në xhaminë e qytetit, ku Myftiu Valdrin Mera ka përcjellë urimet për paqe dhe harmoni.

Në Vlorë, besimtarët janë mbledhur në ambientet e brendshme të dy xhamive të qytetit, Xhamisë së Plumbit dhe Xhamisë së Kuqe. Por edhe këtu nuk kanë mjaftuar vetëm mjediset e brendshme, por tapete janë shtruar për besimtarët edhe në mjediset e jashtme përreth tyre.

Falja e Namazit në Prezë, pranë Tiranës

Kryeministri Edi Rama akuzoi dje anëtarë të opozitës, se po nxisnin besimtarët myslimanë për t’iu bashkuar, sipas tij, revolucionit të tyre imagjinar, duke marrë shkas nga kufizimi i lëvizjeve në ditën e Fitër Bajramit për shkak të pandemisë.
“Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin mysliman t’i bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram”, shkruante Rama.
Mes përfaqësuesve të opozitës që u ka bërë thirrje besimtarëve që të mos u binden urdhrave të Edi Ramës ka qenë edhe Petrit Vasili. Nënkryetari i LSI-së u kërkonte që të bëjnë faljen e Bajramit dhe ironizoi vendimin duke sjellë pamje nga protesta e 17 majit. “Edi Rama me 1500 policë sup më sup dhunoi të dielën më 17 maj të gjitha rregullat e pandemisë për të prishur Teatrin. S’mund të guxojë të ndalë Faljen e Bajramit. S’ka dy palë rregulla, një palë për popullin dhe një palë për Edi Ramën. Mos iu bindni!”, shkruante Vasili dje.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje një ditë më parë besimtarëve myslimanë që këtë të diel të mbushnin sheshet, përkundër ndalesave për shkak të pandemisë. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim diktatorial dhe atesit, u bëj thirrje besimtarëve myslimanë të mbushin sheshet e qyteteve dhe fshatrave tona, t’i luten të Madhit Zot dhe të falin Bajramin. U bëj thirrje të gjithë hoxhallarëve të vendit, imamëve, myftijve, të udhëheqin me urdhër të Të Gjithfuqishmit, lutjen e besimtarëve dhe të mos i tradhëtojnë ata si dhe të dënojnë qëndrimin prej qafiri ateist, fondamentalist e diktatorial të Sulltan Salep Surrelit që kërkon të dalë këtë ditë të shenjtë mbi Zotin e Madhnueshëm”, shkruante Berisha në një reagim të tijin.
Edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, kishte bërë thirrje që të refuzohej urdhri i Ramës që Falja e Namazit të mos bëhej nëpër sheshe. “Mos kini frikë, refuzojeni fytyrën e Faraonit (Ramës). Të mbyllësh sheshin ku besimtarët falen dhe të thuash se protokolli mund të jetë më i zbatueshëm nëpër xhami, është një çmenduri”, shkruante një ditë më parë në një reagim të sajin PDIU.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë