Gazeta Si – Financues, organizator apo dhe pjesëmarrës në vrasje dhe atentate vetëm me një qëllim: hakmarrje për ekzekutimin e të vëllait dhe eliminimin me çdo kush të Talo Çelës.
Erjon Alibej ka rrëfyer këtë të enjte vrasjet ku ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte. I penduari i drejtësisë, gjatë seancës së radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, tha se vrasjen e Dorian Shkozës e kishte porositur ai, pasi donte me çdo kusht eleminimin e të shumëkërkuarit Talo Çela.
Në deklaratën e tij në Gjykatën e Posaçme, Alibej tha se ishte arrestuar më parë për trafik droge së bashku me vëllain e tij, Endrit Alibej, i ekzekutuar në vitin 2018.
Kalvarin e krimeve me vrasjen e disa personave, ai thekson se e nisi pas asaj që njihet si “Masakra e Bradasheshit” në dhjetor 2018, ku përveç vëllait, iu vra daja i tij, si dhe një shtetas turk.
Sipas Alibejt, vrasësi me pagesë Nuredin Dumani kishte qenë “çelësi” i zbardhjes së ngjarjes ku u vra vëllai i tij dhe se në bazë të informacioneve që kishte marrë prej tij, nisi me ekzekutimet me qëllim final eleminimin e të shumëkërkuarit Talo Çela.
“Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës. Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dal nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë. Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova, sepse me çdo kusht doja Talo Çelën. Nga komunikimi që unë kisha me Nuredinin, unë disa persona nuk i njihja që ishin pjesëtarë në vrasjen e familjarëve të mi. E mësova nga Nuredin Dumani që Dorjan Shkoza ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi. Nuredin Dumani me dukej i besuar sepse më korespondonin të dhënat, – thotë Alibej. – Nuredini Dumani nuk më tregoi ndonjë dokument për Dorjan Shkozën, por thëniet e tij më bindën. Lidheshin rrethanat, sepse Nuredini më tha kanë qenë dy makina. Ndaj familjarëve të mi është qëlluar me dy automjete. Për vrasjen e Anxhelo Avdiajt e mora vesh përmes televizorit mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për Anxhelo Avdinë. Nuredini më tha që ai ishte pjesë e grupit kundërshtuar, i Talo Çelës. Enchro Chatin e kam përdorur që kur është hedhur në treg. Rreth vitit 2016-2017 e kam nisur përdorimin”, – u shpreh i pandehuri i dosjes ‘Plumbi i Artë’, i cili tashmë është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



