Lojëra me Dore

Finalja e “dy tiranave” në basketboll, Bujari: Tifozët janë me ne

Këtë sezon në kampionatin shqiptar të basketbollit për femra për herë të parë në garë kemi dy ekipe të Tiranës që rivalizojnë për titullin kampion. Të dyja me fanellat bardheblu dhe të dyja me emrin Tirana, por vetëm njëra prej tyre do e fitojë titullin kampion edhe pse tashmë është vendosur që trofeu do të vijë në kryeqytet, pasi Flamurtari është dorëzuar. Deri më sot kishim parë derbi mes Partizanit dhe Tiranës apo edhe Dinamos, por një derbi Tirana vs Tirana, është hera e parë që ndodh dhe kapitenia e njërës prej “ dy tiranave”, Erta Bujari na rrëfen gjithë historinë, duke theksuar se tifozët e vërtetë janë në krahun e ekipit të saj. Bujari shpjegon edhe një herë ngjarjen e verës së vitit 2018-të, kur ekipi u nda dhe u vendos që të krijohet ekipi i ri me emrin “Shk.K.B.Tirana”

Basketbollistja Bujari dhe trajneri Borova

“Vajzat e Tiranës kishin pakënaqësitë e tyre për drejtimin. U munduam t’i shpjegonim shefit të klubit ne të gjitha vajzat, që fryma është e keqe dhe kështu nuk fitohet, mënyra e trajtimit dhe metodat e trajnerit çuan në përçarje. Të gjitha këto pakënaqësi, prej 3 muajsh shefi i klubit nuk i mori parasysh, para këtij fakti, kishte ngelur që vajzat të shpërbëheshin nëpër ekipe të ndryshme ose do e merrja unë përgjithësinë si kapitene t’i mbaja të bashkuara dhe të merrnim këtë rrugë, të mbanin gjallë ekipin, ngjyrat Tiranës, dinjitetit tonë. Megjithëse u stërvitëm në një fushe shkolle për një vit, ku vajzat shqiptare nuk merrnin lek, bashkë me trajnerin Borova ne jemi krenarë për arritjet që kemi pasur. Historia a KB Tirana është shembull për basketbollin në ditët kur jemi në një ekonomi tregu.”-tregon basketbollistja Bujari për Gazeta Si.

Pas këtij vendimi të guximshëm për të krijuar një ekip paralel, duket se për kapitenen Erta Bujari dhe vajzat e tjera të Tiranës gjërat shkuan mbarë. Vërtetë në Kupën e Shqipërisë dështuan, por finalja në play off-in e kampionatit, ku përballë do të kenë ekipin nga ku u shkëputën, është një arritje e madhe për këtë grup. Bujari tregon më tej edhe problemet me të cilat përballet ekipi, që mbijeton vetëm falë mbështetjes së investitorëve privat. “Ne sot jemi pa ndihmën e bashkisë dhe lekët e taksapaguesve të qytetit shkojnë për një ekip i cili edhe nëse përfaqësohet me fëmijë askush nuk i kërkon llogari. A jemi akoma në komizëm? Drejtori i klubit bën qoka shokëve të tij, pensionistëve, ku rotacioni nuk ekziston dhe njerëzit që duan të bëjnë diçka për Tiranën në një moment të caktuar të tregojnë derën? Ekipi i Kb Tiranës ka qenë ekipi i vjetër i Tiranës, ekipi i ri i sapoformuar është ekipi i Mirza libegajt. Prishja e kontratës me klubin dhe ekipin tonë bëri që mos të luajmë më ne në “Farie Hoti” dhe kjo e drejtë iu dha ekipit tjetër. Nga vajzat që ishin nga sezoni i shkuar ngelën vetëm 2 vajza, që nuk vazhduan me grupin e vjetër kështu gjerat i kishim të thjeshta, ekipi ishte i konsoliduar, pasi disa viti që luanim bashkë. Njeriu i cili duhet falënderuar është sponsori, Klajd Malo i cili e ruajti këtë ekip dhe në fund me disa afrime tani jemi gati për të sjellë në Tiranë trofeun mbas 20 vitesh.”

SH.K.B Tirana

Erta Bujari flet edhe për lidhjen e fortë personale dhe familjare që ajo ka me fanellën e Tiranës, duke qenë një nga të paktat basketbolliste që nuk ka ndërruar këtë ekip ndër vite.
“Po është e vërtetë, që në moshën 24-vjeçare dhe sot jam kapitenia e Tiranës, unë kurrë nuk kam ndryshuar ngjyrat bardheblu për asgjë të ofruar. Familja ime ka një kontribut të madh tek këto ngjyra, xhaxhai im Bujar Bujari ka qenë 13 vjet kampion i gjimnastikës me Sport klub Tiranën, babi im është trajner prej vitesh në akademinë e Tiranës ka dhënë kontribut edhe kur ishte futbollist. U zgjata shumë të shpjegoj këtë gjë, pasi është spekuluar që ne jemi larguar vetë nga “Farie Hoti”. Në fakt historia është ndryshe, Ëndrra ime që në fëmijëri ka qenë të dalë kampion me Tiranën, ëndërr të cilën kam pritur vit pas viti, për arsye të ndryshme, për plot 15 vite nuk munda ta bëj realitet. Sot jam në moshë 32 vjeç, dua të dal kampione, dua që Tiranës t’i kthehet titullit që mungon prej 20 vitesh.”

SH.K.B Tirana

Ndërsa sa i përket një ribashkimi të mundshëm të ekipit sërish këtë verë, kapitenia e "SH.K.B Tirana" shprehet skeptike, duke thënë se nuk ka hapa konkretë drejt kësaj gjëje. “Nuk e besoj për një ribashkim, ne tentuam përgjatë gjithë verës, në klub dhe në bashki por në asnjë moment nuk u ulën në tavolinë për të folur. Nuk e di ça mund të ndodhë në radhë të parë të mbarojmë këtë kampionat dhe të arrijmë qëllimin më pas të shohim.”

Kur vjen fjala te ndeshja në parket, Erta Bujari është e prerë. Ajo thekson se do të kishte dashur që në finale të ishte Flamurtari i Vlorës, me të cilin edhe rivaliteti ka qenë më i madh në vitet e fundit. Por ka edhe një apel për të gjithë tifozët që do të ndjekin në finale “dy Tiranat” që të mbështesin ekipin që i bën të ndjehen ‘tirons’. “Në finale preferoja Flamurtarin jo se kemi frikë, pasi përballjet me to kanë treguar kush është më i fort, por do preferoja Flamurtarin si një klasike e basketbollit në Shqipëri. Në finale çdo lloj tifozerie dhe tifoz është i lirë të bëj tifozllik për këtë t’i bëj zemra trak, por fanella e Tiranës peshon nga krahu ynë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë