Filma

Filmi “Zgjoi” propozohet për Oscar 2022

Tri herë fitues i Festivalit të Sundance, filmi “Zgjoi” propozohet nga Kosova si kandidati zyrtar për garën e Oscars 2022.

“Zgjoi” është një film dramë kosovar i vitit 2021 me regji nga Blerta Basholli në debutimin e saj regjisorial.

“Filmi është sa intim, aq edhe universal, që prek thellë me tregimin e dhimbjes, qëndrueshmërisë dhe përfundimisht triumfit. Zgjoi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtur dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quo-së dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë”, ka deklaruar komiteti selektues pas përzgjedhjes së filmit.

Premiera u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance, më 31 janar të vitit 2021 dhe u bë filmi i parë në historinë e Sundance që fitoi të tria çmimet kryesore.

Në Konkursin Dramatik të Kinemasë Botërore, fitoi çmimin e madh të Jurisë, çmimin e Publikut dhe çmimin e Regjisorit.

Ky film ka për qëllim që të shfaq shoqërinë patriarkale, ku gjithmonë gjenden në paragjykime.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi që luan rolin e Fahrije Hotit, një vejushë kosovare, por një ëndërrimtare e vërtetë. Ndërkohë, në rolet e tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj,.

“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Para filmit “Zgjoi” regjisorja Blerta Basholli ka realizuar disa filma dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër, ndër ta “Bardhezi” dhe “Lena dhe unë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë