Filma

Filmi “Vera andrron detin” triumfon në Tokio

Filmi nga Kosova “Vera Andrron Detin" fitoi çmimin kryesor “Grand Prix”, në edicionin e 34-t të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, ku edhe shfaqi premierën aziatike javën që shkoi.

Vlerësimi për çmimin bëhet me dije nga stafi i filmit. “Jemi të emocionuar të njoftojmë se “Vera Dreams of the Sea” është shpërblyer me çmimin “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, 2021”, thuhet në njoftim.

Filmi me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe me skenar nga Doruntina Basha, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Edicioni i 34-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë u zhvillua nga 31 tetor deri më 7 nëntor.

“Janë disa arsye pse ky lajm më ka emocionuar shumë. E para, Kosova nuk ka qenë kurrë më parë në këtë festival prestigjioz. Pastaj, kryetarja e jurisë - Isabelle Huppert - ka qenë dhe mbetet aktorja ime më e preferuar e të gjitha kohërave. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, kinematografia japoneze ka qenë gjithmonë pikë reference në rritjen time profesionale, andaj ky çmim më nderon tej mase”, është shprehur regjisorja e filmit, Kaltrina Krasniqi.

Në film luajnë Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj.

Në film, personazhi kryesor është Vera, përditshmëria e së cilës do të çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe, të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi do ta shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj. E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim, por edhe universal i një gruaje, e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Në korrik të këtij viti regjisorja Kaltrina Krasniqi do të shprehej në lidhje me këtë projekt filmi, se lufta e Verës për pronën familjare shpalos një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, për të cilat kemi nevojë të mendojmë kolektivisht.

Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë