Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.
“Zgjoi”, filmi me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, kaloi fazën e parë të çmimeve Oscar, duke u kualifikuar në një listë të shkurtër prej 15 filmash.
Faza e dytë e votimit do të përfundojë në janar, kur edhe prezantohen 5 filmat e nominuar për garën Oscar, që do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në mars të vitit të ardhshëm.
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes. Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.
Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit “Zgjoi”. Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi që luan rolin e Fahrije Hotit, një vejushë kosovare, por një ëndërrimtare e vërtetë. Ndërkohë, në rolet e tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj,.
“Zgjoi” është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Para këtij filmi, regjisorja Blerta Basholli ka realizuar disa filma dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër, ndër ta “Bardhezi” dhe “Lena dhe unë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




