Art dhe Kulture

Filmi “Dy Luanë drejt Venecias”, kandidatura e Shqipërisë për “Oscar”

Filmi “Dy Luanë drejt Venecias” me skenar dhe regji nga Jonid Jorgji është kandidatura e Shqipërisë në çmimet “Oscars”. Komisioni përzgjedhës për selektimin e filmit pjesëmarrës në “International Feature Film Award” edicioni i 94-të ishte i përbërë Eduart Makri, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe anëtarë regjisorin Ylli Pepo, skenaristin Bashkim Hoxha, regjisorin Ilir Keko dhe regjisorin Fatmir Koçi.

Në garë ishin dy filma, “Dy Luanë drejt Venecias” me regji nga Jonid Jorgji dhe filmi me titull “Freestyle to Montenegro” nga Ardit Sadiku. Në komision ishte dhe aktori Kastriot Çaushi, por Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën me dije se pasi ai u njoh me kandidaturat njoftoi se për arsye konflikti interesi, duke qenë se është aktor në filmin kryesor “Dy Luanë drejt Venecias” nuk do të votonte. Komisioni përzgjedhës me shumicë votash në QKK vendosi për filmin “Dy Luanë drejt Venecias”. Në këtë film dy aktorët kryesorë janë Vasjan Lami dhe Kastriot Çaushi. Dy aktoret kryesore janë të njohura dhe në arenën ndërkombëtare si Alisa Huzar dhe Natalia De Maria (interpreton te filmi La Grande Belleza). Lista e aktorëve vijon dhe me Luli Hoxhën, Marjana Kondi, Albana Sançolli, Armand Xhuli, Alessandra Bonarotta, Dario Frappampina, Erjon Hodo, Grei Dajlanaj, Arjeta Dhima, Alfred Zeneli, Marjetina Gjoni, Alesia Xhemalaj, Luan Aliu, Kliti Roshi, Vilson Gjonçaj dhe Roerd Toçe.

Në qendër të ngjarjes janë dy kineastë shqiptarë rreth të 60-ave, të cilët kanë marrë rrugëtimin për në festival të Venecias me filmin e tyre. Në rrugë e sipër njihen me dy zonja shumë të hijshme, por që janë pjesë e industrisë së seksit. Rrugëtimi i tyre kalon me një sërë situatash e të papriturash nga Bari drejt Venecias. Një surprizë ndodh me një nga personazhet kryesorë, kur në fund të rrugëtimit zbulon se dhe vajza e tij e vetme është pjesë e kësaj industrie. Më herët, regjisori Jonid Jorgji ka treguar se tek krijimet e tij, ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes familja, dhe ka dashur gjithmonë të luaj me formën e saj. “Aty dua të gjej emocionin, dashurinë zhgënjimin etj. Dhe kësaj radhe vendosa marrëdhënien e një babai të ve me vajzën e tij, të vetme e cila ka vendosur me dëshirën e saj të bëhet pjesë e industrisë seksuale në Europë. Shpresoj të kem dhënë një këndvështrim real dhe të veçantë për publikun”, është shprehur ai mes të tjerave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë