Lojëra me Dore

Filadelfia surprizon Toronton, afrohet me finalen

Duket se do të jetë Filadelfia surpriza e madhe e këtij edicioni të NBA. Skuadra nga Pensilvania, pasi barazoi serinë e ndeshjeve me Toronton, mbrëmjen e së enjtes ka bërë surprizën e madhe, duke fituar edhe ndeshjen e tretë dhe tashmë kalon në avantazh me rezultatin e ndeshjeve të përgjithshme, 2-1.

Ndeshja e zhvilluar në “Wells Fargo Center” në shtëpinë e Filadelfias ishte shumë emocionuese. Në dy periodat e para, skuadra kanadeze e Torontos, duke ardhur si pretendente në këtë sfidë provoi të bënte ekipin dominues, por nuk ia doli dot, pasi shumë shpejt u kuptua se Filadelfia ishte në ditën e saj më të mirë. Embid dhe Buter, ishin ata që e morën prej dorë skuadrën drejt këtij suksesi shumë të rëndësishëm. Basketbollisti nga Kameruni realizoi 33 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës realizoi 22, duke e bërë kështu të pavlefshme performancën e mirë të Leonard për Toronton, me 33 pikë dhe 10 ribaund.

Tashmë Filadelfia kalon në avantazh në serinë totale të ndeshjeve, por vendimtare ka për të qenë sfida e katërt. Në rast të një fitore, shifrat do të shkonin në 3-1 dhe për Toronton shanset për të shkuar në finale minimizoheshin në maksimum.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë