Art dhe Kulture

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor/ Margariti: Preljocaj kthen vëmendjen e botës te ne

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor rikthehet në edicionin  e dytë dhe do të mbahet nga 23 shtatori deri më 22 tetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Festivali i cili vjen nën drejtimin artistik të koreografit të mirënjohur Angelin Preljocaj, synon të pozicionojë Tiranën si një qendër për grumbullimin e kërcimit bashkëkohor ndërkombëtar, duke krijuar një platformë për kompanitë e njohura të kërcimit dhe balerinët e talentuar.

Në një konferencë për mediat, Drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina u shpreh se është e lumtur që në një bashkëpunim me “Harabelin” është arritur në një kohë rekord, të krijohet diçka që do të ngelet në kujtesën jo vetëm të artistëve por edhe të të gjithë publikut shqiptar.

“Artistit më shumë se arti nuk i flet absolutisht asnjë gjë”, u shpreh Voshtina duke i lënë më pas radhën ministres Margariti e cila bëri edhe një rezyme të shkurtër të punës së bërë jo vetëm me TKOB por me të gjitha institucionet dhe partnerët që kanë përqafuar filozofinë e të kthyerit të Tiranës nga një kryeqytet periferik i Europës, në një qytet që gjallon përmes artit e kulturës.

“Është viti i dytë i një ritakimi të rëndësishëm dhe nuk është takim  rastësor. Jemi fatlum e të nderuar që Preljocaj ka pranuar edhe këtë vit të jetë pjesë e këtij festivali, duke kthyer vëmendjen e të gjithë botës tek ne”, u shpreh Margariti, referuar Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor.

Kultura, sipas ministres, është një sektor që jo vetëm kërkon, por edhe jep. Këtë e tregon rritja e numrit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë si edhe ndjekësit e shfaqjeve të vëna në skenë.

“Vitin e parë të realizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor, TKOB hapi dyert për të mikpritur këtë event, ndërsa këtë vit Teatri dhe Ministria janë në kontratë si bashkëprodhues”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor synon të nxisë shkëmbimin kulturor dhe rritjen artistike brenda rajonit të Ballkanit. Me një program të larmishëm shfaqjesh dhe takimeve të veçanta, ky projekt synon edhe t’u ofrojë artistëve të rinj një mundësi për të mësuar nga profesionistë të mirënjohur.

Ndër të tjera, Festivali do të ofrojë kurse kërcimi falas për studentë dhe kërcimtarë të rinj nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, të cilat do të drejtohen nga koreografë të njohur ndërkombëtarë.

Pjesë e festivalit do të jenë edhe ekspozitat dhe një punëtori e dedikuar për fëmijë. Një seri ekspozitash do të prezantohen nëpër galeri të ndryshme në Tiranë, duke shfaqur veprat e artistëve të talentuar pamorë shqiptarë me prejardhje të ndryshme, që përfshijnë vizatime, piktura dhe instalacione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë