Filma

Festivali ndërkombëtar ‘Dea open air’ në edicionin e dhjetë në Tiranë, 38 filma në garë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” do të zhvillojë këtë tetor edicionin e tij të dhjetë në Tiranë.

“Dea Open Air” është një festival që bëhet këtë muaj pjesë e jetës artistike në kryeqytet dhe sjell prodhime të ndryshme kinematografike të huaja dhe shqiptare. Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të pestë edhe në Tiranë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” në këtë edicion të dhjetë është pozicionuar pranë Universitetit të Arteve, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që e duan kinemanë, të ndjekin çdo ditë të festivalit. Sipas njoftimit mbi edicionin e dhjetë të festivalit, aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit si në edicionet paraardhëse gjeografi ndërkontinentale.

“Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars 2023”, thuhet për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, që këtë vit do të zhvillohet nga data 8 deri më 12 tetor. Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetmë gjithsej 38 filma, nga të cilët 7 në seksionin e filmit me metrazh të gjatë ose konkurrimin kryesor, 18 në seksionin e filmit të shkurtër, 6 në seksionin e filmit studentor dhe 7 në seksionin e filmit dokumentar.

“Dea” mbetet edhe këtë vit open air. Programi i mbrëmjes së konkurrimit kryesor të festivalit, filmit me metrazh të gjatë ofrohet në kinema “Dea open air 1”- në amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Në amfiteatrin e Universitetit do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e hapjes si edhe mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit X të “Dea Open Air International Filmfestival Tiranë- 2022”.

Programi i pasdites i konkurrimit kryesor të festivalit, filmit me metrazh të gjatë si edhe programet e filmit dokumentar, filmit të shkurtër dhe filmit dokumentar do të ofrohen në kinema “Dea open air 2”-salla Black Box e Universitetit të Arteve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të festivalit, të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeëay dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit.  Edicioni i dhjetë i “Dea Open Air International Film Festival” zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Universitetit të Arteve.

Të pranishëm do të jenë kritikë të artit, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorë, regjisorë, producentë, etj, të cilët tradicionalisht i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë