Muzike

Festivali i Këngës në Kosovë për herë të parë/ Adi Krasta: Nuk do të ketë përfaqësues në Eurosong

Kosova do të zhvillojë për herë të parë Festivalin e Këngës.

Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta në një konferencë për media ka thënë se Festivali i Këngës nuk do të ketë përfaqësues në Eurosong, por do të vijë si një festë.

Krasta gjithashtu ka pohuar se kanë marrë mbështetjen pozitive për organizimin nga “Euro Song” dhe European Broadcasting Union.

“Ne kemi këmbëngulur që Festivali i parë i këngës të bëhet në mes të Prishtinës, në kryeqytet, që ai të jetë një festë e madhe siç do të jetë. Festivali i parë jo domosdoshmërisht është i lidhur me garën edhe pse gara është mekanizëm që përdoret për ta bërë më interesant nga pikëpamja e konkurrimit njerëzor”, ka thënë Krasta.

Ai e ka çmuar këtë Festival si ngjarjen më të rëndësishme e karrierës së tij, teksa ka shtuar se netët e festivalit do të transmetohen në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Televizionin e Shqipërisë dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.

“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta.

Prezantuesja e njërës prej netëve të Festivalit, këngëtarja Anjeza Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra ka thënë se ky është moment i rëndësishëm për muzikën shqiptare.

“Ndjehem e nderuar që marrë pjesë sado pak në këtë Festival historik, i cili do të jetë jo vetëm shumë i rëndësishëm për muzikën shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për publikon që uroj ta bëjnë pjesë të kalendarit  çdo tetor ta gëzojë sa më shumë me art e muzikë”, ka thënë Anjeza Shahini.

Krasta uron që ky organizim të zgjasë për shumë vjet dhe se destinimi i saj është festë për jetën kulturore të Kosovës çdo tetor.

“Unë dua të besoj që Festivali do të zgjasë. Festivali t’i takoj jetës kulturore të Kosovës, që çdo fund tetori të jetë një gëzim për qytetin”, ka thënë ai.

Drejtori artistik i Festivalit të Këngës i cili është marrë me çdo detaj muzikor e artistik të organizimit, Florent Boshnjaku, ka thënë se për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’.

“Vetë fjala Festival është festë, e kemi cekur nga momenti i parë kur jam bërë pjesë. Është me të vërtetë një sipërmarrje e madhe që kanë punuar”, ka thënë Boshnjaku.

Nëpërmjet këtij Festivali, drejtori artistik është shprehur se jepet edhe një herë mesazhi urgjent për krijimin e një salle koncertale në Prishtinë.

“Kemi punuar mjaftueshëm që të sjellim një punë cilësore, është një ekip i madh prapa Festivalit. Pritshmëria e të gjithëve mund të jetë e lartë ose jo, por vetë fakti që ne po e fillojmë në një sallë e cila ka qenë e djegur prej shumë vitesh, mendoj se ky është një alarm që Prishtinës i duhet një sallë për ngjarje të tilla të mëdha. Shpresoj që edhe ky Festival të jetë një nismë për sallën koncertale të Prishtinës”, ka thënë Florent Boshnjaku.

Tre netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 e 28 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë