Filma

Festivali i Filmit në Kanë, regjisorja Julia Ducournau rrëmben ‘Palmën e Artë’ me ‘Titane’

Të gjithë çmimet e dhëna nga juria e kryesuar nga Spike Lee. Regjisorja franceze është gruaja e dytë që ka fituar në historinë 74-vjeçare të Festivalit

“Titane”, filmi me shumë dhunë dhe krejt atipik i Julie Ducournau ka marrë Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë në edicionin e 74-të. Gruaja e dytë në histori, pas Jane Campion me “Mësimet e Pianos” në 1993.

Ky edicion kishte një juri që kryesohej nga aktori dhe regjisori me ngjyrë Spike Lee, i cili u bë protagonist i ceremonisë kur e shpalli çmimin përpara kohe dhe e çoi në kaos skenarin.

Jashtëzakonisht e ngazëllyer (“Nuk e di pse po flas anglisht, jam franceze”), regjisorja, e lindur në 1983, tashmë e vlerësuar për “Raw”, flet para një salle që i jep asaj një duartrokitje të bujshme. “E di që filmi im nuk është perfekt, disa thonë se është monstruoz. Por përsosmëria mund të bllokojë, ndërsa monstruoziteti që tremb kaq shumë është një forcë për mua. Juria njeh nevojën për një botë më gjithëpërfshirëse dhe më fluide. Faleminderit”.

Filmi ka elemente të horrorit fizik e hakmarrje. Në këtë film që ka përplasur audiencat dhe kritikët, luan një balerinë, e cila kur ishte e vogël, ishte viktimë e një aksidenti të tmerrshëm automobilistik: ajo arriti të mbijetojë vetëm në sajë të një pllake titaniumi që mjekët i vendosën në anën e saj të djathtë të kafkës

Ky operacion ndryshoi plotësisht mënyrën e saj të afrimit me njerëzit dhe... makineritë.


Aktorja amerikane, Sharon Stone dhe regjisori Spike Lee, president i jurisë duke dhënë çmimin

Filmi shumë i vështirë

Një film jashtëzakonisht i vështirë, i diskutueshëm i krijuar për të tronditur ndërgjegjen, “Titane” është një vizion kërkues, i cili alternon momente me sharm të madh me pasazhe të tjera krejtësisht të pavend, të ekzagjeruara dhe shpesh të lira. Një tronditje e vërtetë, si filmi, ashtu edhe çmimi, i cili do të bëjë që shumë të festojnë, por do të skandalizojë pjesën tjetër.

Filmi është tashmë në kinema, tani do të jetë publiku francez që të dekretojë fatin e tij.

Fituesit e Festivalit të 74-të të Filmit në Kanë:

-Palma e Artë: “Titane” nga regjisorja Julie Ducournau (Francë).

-Çmimi i Madh: “Një hero” nga regjisori Asghar Farhadi (Iran) dhe “Hytti NRO 6” (Apartamenti nr.6) nga regjisori Juho Kuosmanen (Finlandë).

-Çmimi i Jurisë: “Le genou d’Ahed” (Gjuri i Ahedit) nga regjisori Nadav Lapid (Izrael) dhe “Memoria” (Kujtesa) nga regjisori Apichatpong Ëeerasethakul (Tajlandë).

-Çmimi “Regjisori më i mirë”: regjisori Leos Carax për “Annette” (Francë).

-Çmimi “Aktori më i mirë”: aktori amerikan Caleb Landry Jones në “Nitram”.

-Çmimi “Aktorja më e mirë”: aktorja norvegjeze Renate Reinsve në “Julie në 12 kapituj”.

-Çmimi i skenarit: regjisori Ryusuke Hamaguchi për “Drive my car” (Japoni).

-Kamera e Artë: “Murina”, nga regjisorja Antoneta Alamat Kusijanovic (Kroaci).

-Palma e Artë për filmin me metrazh të shkurtër: “Të gjithë korbat e botës” nga regjisorja Tang Yi (Hong Kong).

-Përmendje speciale për filmin e shkurtër: “Le ciel du mois d’août” (Qielli i gushtit) nga regjisorja Jasmin Tenucci (Brazil).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë