Ngjarje

Festa e vakët e Flamurit për të tretin vit radhazi

Për të tretin vit me radhë, Shqipëria feston Ditën e Pavarësisë në heshtje. 109-vjetori i ngritjes së Flamurit në Vlorë do të shënohet përmes ceremonive të vakta pa grumbullime masive të njerëzve e mesazheve të urimit nga politikanë e qytetarë.

Shkak është situata e pandemisë dhe vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të mos lejuar tubimet dhe grumbullimet masive për këtë rast festiv.

Kjo është hera e tretë radhazi që në vend nuk organizohen ceremoni të mëdha me rastin e Ditës së Flamurit. Në 2019, përgatitjet festive u ndërprenë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të atij viti, që la pas 51 të vdekur, rreth 1 mijë të plagosur, mbi 15 mijë të pastrehë dhe preku 150 deri në 200 mijë qytetarë të tjerë.

Në 2020 festimet u kushtëzuan nga masat kufizuese anti-Covid, ashtu si edhe këtë vit.

Kryeministri Edi Rama përcolli mesazhin e urimit në rrjetet sociale përmes disa fotografive, ku tregohet një medaljon simbolik me portretin e Ismail Qemalit dhe shënimin “Vlora International Airport”, si dhe prezantimin e logos së aeroportit, që këtë 109-vjetor Pavarësisë nis punimet.

Presidenti Ilir Meta uroi shkurtimisht përmes një fotoje me nipin e Ibrahim Rugovës.

“Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!”, shkroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë