Rend dhe Ligj

Fenomeni, si po përdoren emigrantët në Britani për të mbjellë drogë

Burimet e gazetës ‘Si” konfirmojnë se në muajin maj 2020 në Britaninë e Madhe u zhvillua një operacion i përmasave të rëndësishme gjatë të cilit përfunduan në pranga B. K, vitlindja 1991, nga Tirana, G. K 21 vjeç nga Tirana, E. K i moshës 29 vjeç, K.S, nga Tropoja, B. K vitlindja 1993 nga Durrësi dhe B. A nga Tropoja.

Të tetë të rinjtë u prangosën në Mbretërinë e Bashkuar për trafik narkotikësh, trafik armësh dhe kultivim droge. Aksioni i zhvilluar dhe i koduar ‘Hecke” hodhi dritë mbi fenomenin që po shqetëson Britaninë e Madhe tha burimi ekskluziv për gazetën “Si” në Londër.

I njëjti burim diplomatik shtoi se të akuzuarit të pyetur veç e veç kanë filluar të fajësojnë njëri-tjetrin dhe të deklarohen si viktima të trafikantëve. Por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të tregojë se kush i mbylli ata në banesa ku ishte mbjellë kanabis sativa. Ata mendohet që ishin emigrantë të paligjshëm në këtë vend, ndërkohë që një ditë më parë gazeta ‘Si” shpjegoi se si të rinjtë po financohen nga trafikantë për të udhëtuar drejt Anglisë dhe më tej mbahen si pengje derisa shlyejnë faturat.

Dyshohet se ata janë mbajtur me forcë në një fermë pohon tekstualisht burimi pranë autoriteteve angleze, në të cilën ishte mbjellë kanabis sativa. Kjo e dhënë konfirmohet zyrtarisht për gazetën “Si” edhe nga policia e Liencestrshire.

Policia shqiptare konfirmon për gazetën “Si’ se fenomeni i migrantëve që përdoren për të mbjellë drogë, ka dyshime se ka prekur veçanërisht zonën e Burrelit, Lushnjën, fshatrat e Tropojës, Kukësit dhe disa fshatra të Fierit.

Bëhet me dije gjithashtu se trafikantë potencial shumë të përfolur në Shqipëri dhe që kanë hapur biznese kryesisht bare dhe restorante, po ofrohen për t’u garantuar udhëtimin të rinjve të lindur pas viteve 1990.

“Ata janë të rinj të pashpresë, të papunë dhe pa asnjë perspektivë. Ata ëndërrojnë Anglinë dhe kjo dëshirë ju plotësohet me një kusht që të punojnë në shtëpi ku mbillet hashash. Prindërit e tyre besojnë që fëmijët ju punojnë në lavazhe apo truproje, por në fakt ata janë të punësuar si kultivues”, shton burimi policor i gazetës ‘Si”.

Policia shqiptare nuk ka mundur ende të tërheqë në bashkëpunim të rinj që janë deportuar si migrantë të paligjshëm në këtë vend, ndonëse besohet se ky fenomen po përdoret edhe në Spanjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë