Është folur shumë për Covid-19 dhe ndikimin e tij tek të moshuarit dhe të rritur por çfarë ndodh me fëmijët? A e njohin dhe mbi të gjitha, a kanë frikë nga Covidi?
Ylli Kaloshi, mjek pediatër, thotë për Gazetën “Si” se fëmijët të moshave 9-14 vjeç deri vonë kanë ardhur në zyrën e tij me një frikë të pashpjegueshme, diçka që tani ka ndryshuar.
“Tani janë ndërgjegjësuar shumë dhe nuk kanë frikën që kishin në fillim”, tregon Kaloshi.
Në fillimet e pandemisë ai kishte më shumë punë për të bindur fëmijët se nuk kanë Covid-19 pasi shqetësoheshin dhe për një simptomë të vogël, ndërsa tani e dinë se cilat simptoma përfshin gripi dhe cilat simptoma përfshin Covidi”.
Sipas Kaloshit, tani fëmijët janë më të qetë dhe nuk shkojnë për vizitë tek ai vetëm në rast se e shohin se kanë shqetësime të mëdha.
“Jam munduar t'i qetësoj në fillim sepse dëgjonin dhe lexonin më të keqen ndërsa tani ka ndryshuar qasja. Janë informuar dhe kjo është gjë e mirë pasi i ka ndihmuar”, tregon ai.
Fëmijët kishin disa muaj që po bashkëjetonin me virusin dhe siç është natyra e fëmijëve, tani janë mësuar me të dhe nuk kanë frikë.
Psikologia shkollore Besjana Farruku thotë se tani fëmijët dinë cdo gjë për virusin dhe frika ka ndryshuar në krahasim me fillimet e pandemisë.
“I dinë të gjitha, disa i kanë mësuar në shkollë dhe të tjerat në televizor apo rrjete sociale. Më parë kishin shumë frikë, tani janë mësuar”, tha Besjana.
Në shkollën ku ajo punon ka bërë një aktivitet me temë “Mirëqenia psikoemocionale”, me anë të së cilit donte të kuptonte se sa ka ndikuar Covidi tek fëmijët. Nxënësit, të moshës 9-13 vjeçare kanë treguar se frikën më të madhe e kanë për prindërit dhe gjyshërit pasi “kanë dëgjuar se grupi më i rrezikuar janë pikërisht ato”. Për vete kanë frikë dhe kjo ndjenjë ka mbetur dhe është bërë pjesë e tyre tashmë për shumë muaj.
Besjana i thotë Gazetës “Si” se edhe për vete kanë frikë dhe kjo duket që tek mënyra si shumë herë mundohen të qëndrojnë larg njëri-tjetrit edhe pse është deri diku e pamundur, duan të përdorin dezinfektantin gjithë kohës e gjeste të tjera që nëse më parë i bënin sepse prindërit i porosisnin për diçka të tillë, tani e bëjnë sepse kanë vetë frikë.
Me “dinë gjithçka”, Besjana përfshin edhe sezonin e gripit dhe njohuritë që kanë fëmijët për këtë të fundit dhe “pikat ku ndahen me Covidin”.
Është e çuditshme por diçka që pritej. Besjana tregon se fëmijët tani janë të informuar deri në ekstrem përsa i përket gripit dhe virusit aq sa janë të gatshëm të bëjnë dhe një listë me simptomat që ka Covidi dhe simptomat që ka gripi.
“Janë bërë shumë të shkathët në këtë pjesë dhe me shaka ndonjëherë thonë se dinë më shumë se mjekët”, tregon Besjana.
Ajo shpjegon se mësuesit dhe prindërit luajnë një rol të madh në menaxhimin e frikës së fëmijëve pasi kanë bashkëpunuar bashkë dhe janë munduar ti ndihmojnë fëmijët me çdo paqartësi që kanë pasur.
Fëmijët janë të fokusuar më shumë në “kujdesin dhe merakun e prindërve dhe gjyshërve” se sa në frikën për vete sepse e dinë se fëmijët janë më pak të rrezikuar dhe se masat parandaluese janë shumë të rëndësishme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.