Klubi i madh spanjoll, sipas “ABC”, ka hedhur së fundi idenë për të organizuar në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit një ndeshje spektakël mes dy rivalëve të mëdhenj të tenisit modern, Rafael Nadal dhe Roxher Federer.
Rivaliteti historik mes Nadalit dhe Federerit shkon përtej tenisit. Shkon aq larg, sa Real Madrid, klubi i futbollit më i pasur dhe më me fitime në botë, kërkon të organizojë një ndeshje spektakli në stadiumin mitik “Santiago Bernabeu”. Një ndeshje, që do të hyjë direkt në histori. Objektivi në fakt është ai për të thyer rekordin e spektatorëve të pranishëm në një ndeshje tenisi, që në këtë rast do të kapte shifrën e 80 mijë vetëve. Ideja për këtë iniciativë është zbuluar nga e përditshmja “ABC”, sipas së cilës, presidenti i Realit, Florentino Perez, kryesisht për arsye ekonomike, mendon se do të ishte një event që do të ndiqej nga e gjitha bota.

Deri tani, rekordin e ndeshjes me më shumë spektatorë në tenis e mban një sfidë mes Serena Uilliams dhe Kim Klijsters, e zhvilluar në Bruksels, në vitin 2010, përpara 35.681 “tifozëve”. Perez kërkon ta dyfishojë këtë shifër, duke i bërë një dhuratë të çmuar edhe Rafael Nadalit, i lindur në Majorka, por një tifoz i thekur i madrilenëve. Për të, të luajë në tempullin e Realit ndaj rivalit të tij më të madh, është një ëndërr.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.