Lojëra me Dore

Federer i pavdekshëm/ Mbijeton 7 herë, ndaj Gjokoviç në gjysmëfinale

Edhe një herë tjetër Roxher Federer është mbret. Tenisti i madh zviceran anulon 7 “match point” (mundësi të kundërshtarit për ta fituar ndeshjen) ndaj Tenis Sandgren dhe kualifikohet për në gjysmëfinale të “Australian open”. Rezultati spektakolar 6-3, 2-6, 2-6, 7-6, 6-3 flet qartë për nëj ndeshje spektakolare, e karakterizuar nga një dëmtim i Federer dhe forma shumë e mirë e tenistit amerikan.

Fillimi i ndeshjes është i gjithi për Federer, që e merr “me shpulla” amerikanin Sandgren, të cilit i duhet të kuptojë se në çfarë bote ndodhet. Pastaj, papritur ka një problem fizik për Federerin dhe shpejtësia e gjuajtjeve të tij ulet ndjeshëm, zvicerani është më pak elastik dhe Sandgren përmbys gjithçka. Kur rezultati shkon në 3-0 gjatë setit të tretë, Federer lë fushën për të marrë ndihmën mjekësore. Me rikthimin e tij bie niveli i ndeshjes. Spostimet anësore të Federer i japin mundësi Sandrgen të fitojë setin.

Roxher Federer gjatë ndeshjes

Në setin e katërt Federer rigjen pak forcë dhe e mban gjallë ndeshjen deri në rezultatin 4-4. Më pas anulon 3 “match point”, duke përfituar edhe nga gabimet e pafalshme të Sandgren. Edhe në vazhdim zvicerani vihet në vështirësi dhe i duhet të anulojë 3 shanse të tjera për fitimin e ndeshjes nga amerikani, këtë herë njëri pas tjetrit. Federer nuk gabon më asgjë, reziston edhe në “match point”-in e shtatë dhe fiton setin, duke barazuar gjithçka në 2-2. Zvicerani kthehet zot i fushës dhe dhuron spektakël, duke e mbyllur setin e 5-të 6-3. Ndeshja zgjati 3 orë e 31 minuta.

Në gjysmëfinalen e së enjtes, Roxher Federer do të ndeshet me Novak Gjokoviç, i cili eliminoi Milosh Raoniç 3-0 (6-4, 6-3, 7-6). Dy çerekfinalet e tjera të “Australian Open” janë Nadal-Thiem dhe Vavrinka-Zverev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë