Lojëra me Dore

Federata e Basketbollit jep miratimin për të rinisur kampionatin

Kampionatet e lojërave me dorë do të mbyllen në parket, ashtu si edhe futbolli. Miratimi është dhënë nga Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) në mbledhjen e fundit dhe vendimi pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Pas më shumë se 3 muajsh shkëputje, basketbolli do t’i kthehet kampionatit për të luajtur ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020.

Problemin më shqetësues e kanë ekipet e basketbollit të meshkujve dhe konkretisht ata që kanë më shumë lojtarë të huaj në përbërje, si Vllaznia, Teuta dhe Goga. Janë pikërisht këto skuadrat pretendente për titullin kampion në basketbollin e meshkujve, kurse te femrat pretendent kryesor është Flamurtari. Me pezullimin e aktiviteteve, lojtarët e huaj kanë shkuar në vendet e tyre dhe ende nuk janë kthyer.

Ka pasur diskutime mes klubeve dhe FSHB-së edhe për formulën e mbylljes së sezonit. Varianti më i mundshëm është që ekipet të grumbullohen në një qytet, edhe pse nga ekipet e meshkujve kërkohet me ngulm që kampionati të vazhdojë aty ku është ndërprerë. Për shkak të pandemisë janë anuluar më parë aktivitete si Euroliga dhe Liga e Adriatikut, ndërsa faza finale e Ballkan Ligës, ku merr pjesë edhe Vllaznia, do ta zhvillohet në muajin shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë