Ngjarje

Fasoneritë, a e kthyen Krujën në “minën me sahat”?!

Pas Tiranës dhe Shkodrës, Kruja duket se është kthyer në vatrën e radhës së përhapjes së COVID-19 në Shqipëri. Por ndryshe nga kryeqyteti, ku rastet e para u zbuluan në kohë, në Krujë, koronavirusi duket se ka vazhduar të përhapet nëpër fasoneri, duke e kthyer qytezën në një “minë me sahat”. Burime për Gazetën “Si” bëjnë me dije se pikat më të nxehta të këtyre dy qyteteve janë Thumana dhe Fushë-Mamurrasi. Ndër të tjera, Gazeta ka arritur të identifikojë se në qytezën e Thumanës, e cila ishte ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, ka minimalisht 10 të prekur, ndërsa 100 banorë prej kësaj qyteze punojnë në një nga fasoneritë e Krujës.

Mediat kanë bërë me dije se mbi 2000 banorë të Krujës ndodhen në vetë-izolim, nën dyshimet se mund të jenë të prekur nga COVID-19, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha për Gazetën “Si”  se të vërteta janë vetëm shifrat e raportuara nga Ministria, pra 23 raste në total.   Në qytetin e Krujës numërohen 27 fasoneri, të cilat kanë vijuar punën edhe pse pjesa tjetër e bizneseve ka qenë e mbyllur. Ndërsa, në  Drejtorinë e Shëndetit Publik të Krujës, ka vetëm 8 epidemiologë nga 27 bluza të bardha në këtë qendër. Ekspertja e IShP  Eugena Tomini në raportimin e përditshëm bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 22 raste të reja me COVID-19, në vendin tonë. Sipas ekspertes nga rastet e reja ka pësuar zgjerim në numrin e personave të infektuar vetëm në Shkodër dhe Tiranë.

Gjithashtu, Tomini deklaroi si gjatë 24 orëve të fundit, edhe 13 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar kështu numrin e pacientëve të shëruar në 327. Ndërsa numri i personave të infektuar aktive është 231.
“Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, prej të cilëve 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Kurbin, Krujë, Shkodër dhe Tiranë,” deklaroi  Tomini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë