Ana e errët

Familjarisht shpërndarës dhe përdorues kokaine. Mes tyre edhe pastruesja

Nga Gazeta 'SI' - Kur policia mori denoncimin e një biznesmeni që dyshonte se pastruesja i kishte vjedhur shtëpinë, nuk hezitoi aspak, por vrapoi për të kontrolluar shtëpinë e saj. Por ndryshe nga çfarë prisnin, ata nuk gjetën aty asgjë të përvetësuar nga gruaja e dyshuar që sakaq këmbëngulte se nuk ishte hajdute. Megjithatë duke kontrolluar imtësisht në shtëpinë e gruas ata gjetën diçka tjetër, kokainë. Dosja që ju vu në dispozicion Gazetasi.al,  nga një burim policor i antidrogës tregon se çfarë bëhet realisht me kokainën në kryeqytet, një betejë që tanimë konsiderohet e humbur sa kohë ajo përherë e më shumë po zbulohet në kokteile të ndryshme në bare të njohura, si edhe në grupmosha të reja që kapen rastësisht e që i fshehin dozat kudo që mundin. Në atlete , poshte sediljeve, në këpucë në kapakë telefoni e deri dhe në pica.

Mbi bazën e akteve të drejtorisë vendore Tiranë, rasti i pastrueses është regjistruar për akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, ndërkohë që akuza është ngritur për djalin e saj, në telefonin e të cilit u gjetën dhjetëra numra telefoni që porosisnin kokainë përmes rrjeteve sociale.

"Shtetasi B.B akuzoi shtetasen M.F se kishte dijeni për vjedhjen me dhunë në banesën e tij ku u kapën në flagrancë dy shtetasit T.N dhe O.M”,- shkruan në procesverbal agjenti i krimeve. Kjo shtetase ishte e punësuar si pastruese për pastrimin e apartamentit  dhe sipas pronarit të apartamentit , ajo kishte bashkëpunuar me hajdutët, pasi duke patur dijeni për çelësat u ka bërë kopje atyre dhe ka bashkëpunuar me autorin e dyshuar duke i dhënë kopje të çelësave, denoncoi biznesmeni.

Në vazhdim të hetimit të kësaj ngjarjeje policia nisi kontrollet në banesën e gruas me bindjen se do siguronte sende të kundraligjshme të përvetësuara në banesën e vjedhur. Aksioni u krye nga policia e Farkës që në dhomën e gjumit, në një sirtar, vërejti një qese me ngjyrë të bardhë, brenda të cilës kishte lëndë të dyshuar si kokainë. Gjatë kontrollit në shtëpi kanë mbërritur djemtë e pastrueses që nga ana e saj u shfaq e habitur për kokainën që gjendej në dhomën e gjumit. Policia pas peshimit, deklaroi se kokaina e sekuestruar ishte në sasinë e 31.6 gramë peshë e përgjithshme që mbas konstatimit u fut në qesen e provave. Por duke mos ditur se kujt t'ja linin autorësinë e kokainës, agjentët kanë sekuestruar telefonat e anëtarëve të familjes, ku rezultoi në kushte flagrance se vetëm në njërin aparat, atë të djalit të gruas me inicialet O.F kishte biseda kompromentuese.

I riu sipas kqyrjes së sistemit rezultonte se ishte konstatuar edhe më herët me doza kokaine gjatë një kontrolli të katër viteve më parë pranë një qendre tregtare. Ai - bën me dije policia - gjendej në brendësi të një makine të parkuar dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet hashash edhe pasagjerit, kurse shoferit me inicialet O.F ju  sekuestrua 0.7 gramë kokainë.

Një aksion tjetër policor i mbajtur në qershor 2021 u mbyll sërish me procedime për çështje droge, pasi i dyshuari së bashku me tre shokë u gjet i ulur në një parking dhe në trup kishte dy qese të mbyllura , kurse në një kolltuk u zbuluan 12 qese të tjera me lëndë të dyshuar cannabis sativa. Por edhe ky hetim u mbyll pa zhurmë nga prokuroria që nga ana e saj i konsideroi të rinjtë si përdorues droge, ashtu siç ka vepruar në mjaft raste të tjera ku aksionet e policisë mbyllen me bilanc negative. Megjithatë sipas policisë që vendosi në dispozicion dosjen, u vërejt se për rastin e kokainës së fundit të kapur në banesën e tyre, secili nga anëtarët mbas kryerjes së aktekspertimit toksikologjik rezultoi se mbas marrjes së mostrave kishte prani të produkteve të metabolizmit të kokainës. E njëjta gjë rezultoi edhe për pastruesen që ashtu si dy djemtë e saj edhe ajo përdorte kokainë, tha policia për Gazetasi.al.

Ajo që rezultoi më pas ishin përgjigjje shkencore nga aktekspertimet tekniko – elektronike të telefonave. Në njërin prej tyre u vërejtën thirrje në aplikacionet Skype, Instagram, Viber, Whatsupp biznes, kontakte në aplikacionin discord, skedarë audio dhe skedarë me foto të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sattiva. Komunikimet në Tik Tok dhe skedarët që njihen si thumbnail shfaqën po ashtu doza droge që u tregoheshin përdoruesve të shumtë. Policia deklaron se vërejti dhjetë skedarë me fotografi droge dhe komunikime me përdoruesit.  "Nga analizimi i ekstrakteve të memories së telefonit u konstatuan imazhe të krijuara edhe në rrjetin social Facebook Messenger, disa të shkëmbyera në Instagram dhe në Signal, të shkëmbyera me profile të ndryshme të këtyre aplikacioneve",- shkruan policia shkencore. Por sakaq njëri nga të dyshuarit këmbëngul se fotografitë ishin për shaka dhe se droga kokainë nuk i përkiste as atij, as të ëmës dhe as të vëllait.

“Dyshoj që kokainën e kishte babai që ka ndërruar jetë dhe në dijeninë time ka qenë përdorues”- justifikohet i riu. Të njëjtën gjë përsërit edhe pastruesja.

“E ka patur burri që në dijeninë time ishte përdorues kokaine dhe ka ndërruar jetë prej një viti e gjysëm. Mbas vdekjes së tij kam dyshuar çfarë të bëja me sendet personale dhe kam hezituar ç'të bëja , ta hidhja kokainën apo ta dërgoja në polici. Ditën që erdhi policia djemtë erdhën në shtëpi dhe nuk dinin asgjë për drogën” këmbëngul gruaja. Por policia këmbëngul se gjendet përpara shpërndarsve dhe përdoruesve të kokainës. Ata u tradhëtuan nga nxjerrja e një videoje prej policisë shkencore nga aparati i telefonit.

"Në snapchat shfaqet duke u peshuar kokainë dhe vlera monetare dhe kjo gjë ka ndodhur në ditët përpara se të gjendej kokaina në banesën e tyre” - shkruan policia që sakaq vëren se skedarët e tjerë në Signal rezultonin të fshira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë