Drejtësia

Prokuroria ankimon vendimin e gjykatës, Agim Kajmaku do të përballet edhe me drejtësinë dhqiptare

Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, i arrestuar në Itali për trafikun e 20 kg kokainë, do të përballet përveçse me drejtësinë italiane, edhe me gjykatat shqiptare.

Pak ditë pas arrestimit në Itali për trafik droge, Prokuroria ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e çështjes ndaj ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku për falsifikim dokumentesh

Sipas njoftimit, organi i akuzës thotë se e ka apeluar vendimin e shkallës së parë për pushimin e çështjes së Kajmakut prej muajit shkurt të këtij viti.

Ish-kryebashkiaku i Vorës akuzohet për “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”,  kryer në bashkëpunim, si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Tashmë çështja ndaj Kajmakut ndodhet në Gjykatën e Apelit të Tiranës, edhe pse nuk ka pasur një datë për nisjen e procesit ndaj tij.

LEXO EDHE:
– “Më propozuan socialistët…” Agim Kajmaku nuk ishte në kërkim dhe i mbylli qetësisht llogaritë me drejtësinë
– Berisha nxjerr videon: Si e mbronte Rama, Agim Kajmakun

Kajmaku kaloi disa muaj në arrati, për t’u vetëdorëzuar më pas në Policinë e Tiranës dhe mandej erdhi lirimi i tij, me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e çështjes.

Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Ai i mohoi akuzat, por më pas u vërtetua nga Prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Ai u rikthye sërish në qendër të vëmendjes, kur tre ditë më parë u arrestua nga policia italiane për trafik droge.

Kajmaku ishte prangosur me nipin e tij që më 27 maj të 2022 sipas mediave italiane, kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto.

Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë