Ana e errët

‘Fajin e ka viti 1997!’… Justifikimi i burrit të armatosur që u denoncua nga familja në polici

Gazeta Si - Një kryefamiljar u justifikua para policisë që i gjeti armë në shtëpi, duke ia lënë fajin vitit të mbrapshtë 1997.

“Është e ‘97, nuk e di se si ka mbetur këtu dhe fajin e ka ‘97”, deklaroi  45-vjecari  R.D., i cili u arrestua në flagrancë, pasi u denoncua nga të afërmit e tij për sjellje të dyshimtë.

Policia e komisariatit numër 4, i thotë Gazetasi.al, se i riu kishte ndryshuar qëndrim me të afërmit që dyshojnë se ai ishte zhytur në depresion që nga koha kur kishte humbur vendin e punës.

Kjo situatë e vështirë në të cilën u gjend R.D., kulmoi  gjatë pandemisë  dhe më pas 45-vjeçari u mbyll në shtëpi. I biri, sipas policisë njoftoi forcat e rendit, duke kërkuar ndihmë me pretendimin se i ati mbante një armë dhe të gjithë ata kishin frikë mos në një moment i vriste.

“Im atë është bërë tepër nevrik, është shkëputur nga ne dhe jeton vetëm në katin e dytë dhe ne kemi frikë mos nga gjendja e rënduar psikologjike babai agravon dhe mund të kryejë ndonjë veprim të pa kontrolluar, prandaj kërkoj ndihmën e policisë që ta shoqërojë në komisariat”, - deklaroi 20-vjeçari që i pyetur më pas, kujtoi se gjithë frika e tij lidhej me prezencën e një arme.

Policia, shton për Gazetasi.al, se kryefamiljari ishte denoncuar shpesh për dhunë, por sa herë që anëtarët e familjes përfundonin në komisariat, nuk kalonte shumë kohë dhe ata tërhiqeshin, duke këmbëngulur se “erdhëm sa të qetësohet babai”.

Policia argumenton në proces-verbalë se menjëherë pasi është informuar për armatosjen e kryefamiljarit, ka organizuar shërbimet për kontrollin e banesës.

Në katin e dytë ku ishte izoluar larg anëtarëve të shtëpisë, me të cilët ai dyshohet se i shmangte, policia tregon se i gjeti një pistoletë me dy fishekë në trup.

“Arma ishte e llojit pistoletë me ngjyrë të zezë dhe një krehër me ngjyrë të zëzë”, - përshkruan oficeri i policisë gjatë këqyrjes së vendngjarjes.

Policia tregon se gjatë shoqërimit të tij në komisariat, ai ka bërë rezistencë, ndërkohë që pasi është qetësuar, është bindur që të flasë.

“Kjo pistoletë që më keni gjetur, është nga viti 1997 dhe e kam harruar që në atë kohë, çuditem se si e paskam harruar. Por këto gjëra i takojnë 1997-ës”, - u shpreh i dyshuari në komisariatin numër 4.

Megjithatë, në atë që shkruajnë oficerët, ngrihen pikëpyetje mbi justifikimin e të arrestuarit.

“I dyshuari u përpoq që ta flakë armën nga dritarja me drejtim oborrin, ku në një distancë prej 20 metrash ishte mbjellë hasëll”, - shkruan policia në shkresa.

Më tej policia e pyet të arrestuarin: a keni kryer ndonjë krim me këtë armë? R.D., përgjigjet: “Jo, nuk e kam përdorur asnjëherë në jetë. E kam gjetur, s’mbaj mend ku, atëherë kur armët ishin sheshit dhe shumicën e kohës unë kam qenë në Greqi dhe armën e kisha harruar në çati të banesës. Jam i penduar për armën, por nuk kam përdorur asnjëherë dhunë”, - shprehet i dyshuari.

Në përfundim, policia deklaron se e arrestoi për dhunë në familje, kundërshtim të policisë dhe armëmbajtje pa leje, me armën që është dërguar menjëherë në laboratorin e kriminalistikës për këqyrje të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë