Ngjarje

Fadromat e IKMT rikthehen në Shkozë, banorët akuzojnë për shkelje të ligjit

Fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe forca të shumta të Policisë së Shtetit u rikthyen në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje për të shembur ndërtesat e ngritura në vijën ku do të kalojë Unaza e Madhe në zonën e Shkozës.

Një shtëpi u shemb rreth orës 06:00, pavarësisht protestave të familjarëve. Banorët thonë se nuk janë kundër projektit, por kërkojnë që t’u dëmshpërblehen shtëpitë me çmimet e tregut edhe për ata që nuk i kanë patur të legalizuara.

Disa prej tyre akuzojnë strukturat shtetërore për legalizime selektive që janë bërë vitet dhe muajt e fundit.

“Ne kemi aplikuar për legalizim që në vitin 2006. Kemi bërë pagesat ndër vite, kemi paguar për taksat rregullisht dhe në 2018, pasi projekti i unazës u devijua për të tretën herë na thonë që shtëpitë nuk mund të legalizohen pasi këtu do të kalojë rruga”, thotë njëri prej banorëve.

Banorët akuzojnë se pavarësisht njoftimit se nuk do t’u legalizoheshin shtëpitë në gjurmët ku do të kalonte unaza, një pjesë e tyre u legalizuan para se të shembeshin.

“Nuk e di si e bënë, me lekë, a pa lekë. Disave ua legalizuan dhe të tjerëve jo”, thonë ata.

Për legalizime selektive pranë kësaj zone ku do të kalojë Unaza e Madhe e Tiranës ka folur edhe Avokati i Popullit gjatë një raporti para Kuvendit në nëntor të 2018. Raporti gjen me shkelje ndër vite ALUIZNI-n jo vetëm për legalizimet selektive, por edhe për zvarritjen e kthimit të përgjigjes për aplikuesit. “Një pjesë e banorëve kanë aplikuar që në 2004-2005 dhe nuk morën një përgjigje përfundimtare deri në 2017. Kjo është një shkelje e rëndë. Tejzgjatja në këto afate e procedurës administrative nga ana e ALUIZNI-t është në kushtet e shkaktimit të dëmit jashtëkontraktor”, thotë Avokati i Popullit.

Në të njëjtin raport, ky institucion vëren edhe shkelje të ligjit duke mos u lënë kohën e nevojshme familjeve që të largojnë mobiljet dhe sendet e tjera nga banesat që prishen nga ky projekt.

Sipas Avokatit të Popullit gjatë aksionit të parë në tetor të 2017 në Shkozë, janë 10 ankesa të adresuara në zyrën e tyre, dy prej të cilave me shkelje flagrante të ligjit. Avokati i Popullit thotë në raport se shtetasi me inicialet H.K ka deklaruar në zyrën e Avokatit të Popullit se është njoftuar vetëm 2-3 orë para se t’i prishej shtëpia.

Për këtë dhe raste të tjera, Avokati i Popullit ka kërkuar hetime dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të personave dhe strukturave shtetërore që nuk kanë zbatuar ligjin.

Ndërkohë, në fazën aktuale janë rreth 13 ndërtesa që parashikohen të prishen, plotësisht, ose pjesërisht. Pjesa më e madhe e tyre janë shtëpi banimi që të gjitha të palegalizuara, ndërsa shtëpitë e legalizuara janë shembur pas marrjes së dëmshpërblimit nga ana e banorëve.

Në lidhje me aksionin e fundit të IKMT-së ka reaguar sërish Partia Demokratike. Ish-deputeti Aldo Bumçi akuzoi se me këto veprime po hidhen në qiell të hapur banorët dhe përsëriti qëndrimin e opozitës që Qeveria të dëmshpërblejë të gjithë banorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë